Ymeri paralajmëron për përplasje shoqërore: Po shkojmë drejt theqafjes

Visar Ymeri ka paralajmëruar se mënyra si po zhvillohet skena politike në vend mund të çojë në tensione serioze shoqërore.

Ai në “VV Show” tha se qytetarët duhet ta kuptojnë se situata aktuale nuk mund të vazhdojë në këtë drejtim, duke përmendur atë që e quajti tendencë për “kontroll të gjithmbarshëm” nga Albin Kurti.

Ymeri u shpreh se nëse vazhdohet me këtë qasje, vendi rrezikon të shkojë drejt përplasjeve të mëdha shoqërore, pasi një sistem i tillë, sipas tij, nuk mund të funksionojë pa tensione.

“Qytetarët duhet me kuptu se qeshtu më nuk mujna me vazhdu. Qeshtu qysh jena tu shku duke ia plotësu edhe pse jo tërësisht, apetitin për kontroll të gjithmbarshëm Albin Kurtit. Na kemi me shku në theqafje. Sepse kontrollin e gjithmbarshëm qysh po e lyp ai, nuk bëhet pa përplasje të madhe shoqërore. Pra për me shku qatje ku po do ai me shku, kemi me pas përplasje. T ish kon Albin Kurti sikur politikanët tjerë që me thanë kqyre na garojmë në zgjedhje, marrim sa të marrim, në dalshim të parët e bëjmë qeverinë, njëherë me vehbinë , tjetrën herë me visarin, ish kon normale, por qekjo tendenca që unë ja krejt ja hiç ka me na qu me një përplasje të cilët kemi përfundu jo veç ai me hec po krejt me hec. Prandaj është  koha e fundit që me i thirr mendjes”, theksoi Ymeri.