Shtatë të dyshuarit për mashtrime me prona u caktohet arrest shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak shtatë personave të arrestuar nën dyshimet për keqpërdorime në proceset e shpronësimit të tokave.

Nën masën e sigurisë janë vendosur avokatja e Avokaturës Shtetërore, Nexhmije Karaçi, si dhe ekspertët gjyqësorë për vlerësim të pronës Shaban Syla, Hajrullah Muli dhe Halil Mustafa. Në këtë rast po hetohen edhe Vegim Gashi, Nexhat Raifi dhe Avdi Pireva.

Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, duke vendosur arrest shtëpiak për të dyshuarit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Karaçi dyshohet se në cilësinë e avokates së Avokaturës Shtetërore ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm Fadil Ismajlit. Ajo dyshohet se, ndonëse kishte dijeni se kërkesa për ankesë ishte dorëzuar jashtë afatit ligjor, ka lidhur ujdi gjyqësore me përfaqësuesit e tij, duke i hapur rrugë kompensimit prej 220 mijë eurosh nga Qeveria e Kosovës.

Prokuroria pretendon se nga kjo shumë, Karaçi ka përfituar 11 mijë euro, përkatësisht 5 për qind të shumës totale, të cilat dyshohet se i janë dorëzuar përmes Avdi Pirevës. Për këtë, ajo po hetohet për marrje ryshfeti.

Ndërkaq, ekspertët gjyqësorë Shaban Syla, Hajrullah Muli dhe Halil Mustafa dyshohen se kanë përpiluar ekspertiza në kundërshtim me kriteret dhe udhëzimet administrative për vlerësimin e pronave të shpronësuara, duke ndikuar në caktimin e shumës së kompensimit.

Sipas hetimeve, në këtë skemë janë përfshirë edhe Nexhat Raifi dhe Vegim Gashi, të cilët, megjithëse ishin kompensuar që në vitin 2014 për pronat e tyre, në dhjetor të vitit 2023 kishin paraqitur kërkesa të reja për kompensim shtesë, jashtë çdo afati ligjor.

Prokuroria dyshon se ekzistonte një marrëveshje paraprake mes të dyshuarve dhe personave të arrestuar më herët në këtë rast, përfshirë Shaban Tërbunjën, Bedri Dibranin, Mirlinda Bllata-Dibranin dhe Goran Llaziqin, sipas së cilës 50 për qind e shumës së kompensimit do t’u kthehej të përfshirëve për t’u ndarë mes tyre.

Raifi dhe Gashi po hetohen për dhënie ryshfeti, ndërsa Avdi Pireva dyshohet për ndihmë në këtë vepër penale.

Në valën e parë të arrestimeve në këtë rast janë përfshirë gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë, Jovica Mitroviq, ish-ministri Fadil Ismajli, si dhe Shaban Tërbunja, Goran Llaziq, Bedri Dibrani dhe Naim Krasniqi.