Zhvillim i papritur në skenën politike të Rahovecit.
Edon Cana, i njohur edhe si dhëndri i Vlora Çitakut, deri më tani pjesë e PDK-së në Rahovec, është parë sonte në Kuvendin Zgjedhor të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke lënë të nënkuptohet se ai tashmë i është bashkuar AAK-së.
Sipas një njoftimi për media kryetari i AAK-së dega në Rahovec është zgjedhur Fatmir Iska. Iska ka zëvendësuar në këtë pozitë Smajl Latifin.
Kjo është bërë e ditur nga kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj.

Postimi i plotë:
Me qeverisjen e dëshmuar të Aleancës në nivel lokal, ku komunat e udhëhequra nga Aleanca dhe kryetarët e saj shquhen për qeverisje efikase, zhvillimore dhe të vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare, Rahoveci mbetet një prej shembujve më të mirë të këtij modeli të suksesit.
Nën udhëheqjen e Smajl Latifit, Rahoveci ka dëshmuar se puna, përkushtimi dhe vizioni i qartë sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe zhvillim për komunën.
Në Kuvendin Zgjedhor të Degës së Aleancës në Rahovec, delegatët i besuan mandatin e ardhshëm katërvjeçar në krye të degës kolegut tonë, Fatmir Iska. Ky është vlerësim për punën e deritanishme të tij në shërbim të qytetarëve dhe besim i plotë se puna e mirë do të vazhdojë edhe më fuqishëm në vitet që vijnë.
I falënderoj të gjitha strukturat ndër vite, aktivistët dhe secilin kontribuues që me përkushtim e kanë bërë Aleancën forcë udhëheqëse në Rahovec.
Po ashtu, uroj strukturat e zgjedhura në përgjegjësitë e reja dhe kryetarin Fatmir Iska për besimin e marrë dhe suksese në angazhimet që na presin.
Aleanca në Rahovec dhe kudo në Kosovë është sot më e mobilizuar, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për fitore të reja dhe për t’i shërbyer qytetarëve me nder e përgjegjësi.









