Nagavci e fajëson opozitën: Pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje

Ish-shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka lënë përgjegjëse opozitën për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nagavci ka thënë se Vetëvendosje është munduar që më të gjitha mundësitë ta kapërcejë bllokadën për zgjedhjen e presidentit, por sipas saj opozita i ka refuzuar të gjitha opsionet.

“Varg refuzimesh. Secilit propozim të LVV-së, opozita iu përgjigj me refuzim. Përpjekja jonë për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe të panevojshme hasi në një bllokadë të pakapërcyeshme. Në vend të angazhimit konstruktiv, pamë vetëm refuzim dhe mungesë vullneti për zgjidhje”, ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.

Ish-ministrja e arsimit në reagimin e saj është munduar që partitë opozitare shqiptare t’i lidhë me Listën Serbe.

“Kontradiktat e tyre dolën qartë në shesh. Nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe pamë refuzim ndaj propozimeve tona, refuzim për të marrë pjesë në votim, refuzim ndaj kandidatëve si Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku, si dhe ndaj figurave konsensuale si dr. Feride Rushiti dhe prof. Hatixhe Hoxha. U refuzua edhe bashkëqeverisja, pozita e kryeparlamentarit dhe ajo e presidentit. U refuzua edhe vetë procesi për zgjedhjen e Presidentit. Të dëshpëruar nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, po na çojnë edhe një herë drejt zgjedhjeve të reja. Përgjegjësia për këtë situatë është e qartë dhe qytetarët do ta japin përgjigjen e tyre”, ka thënë Nagavci.