Berisha akuzon politikanët për dështimet në shëndetësi: Kemi dështuar rëndë

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ka reaguar për gjendjen në repartin e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Berisha ka kritikuar politikanët kosovarë për veprimet e tyre, duke thënë se Kosova ka dështuar në mënyrën e trajtimit të më të “dobëtëve”.

“Zoti ua pagoftë për çdo radhë, për çdo pritje, për çdo dhimbje qe po e shohim çdo ditë,
Derisa pushtetarët/politikanët merren me lojëra politike dhe e çojnë vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme brenda vitit, pacientët me kancer dhe familjarët e tyre detyrohen të dalin në orën 04:00 të mëngjesit për të zënë radhë para Onkologjisë, vetëm për të siguruar terapinë jetike. Kjo nuk është thjesht dështim institucional, kjo është braktisje.
Është e trishtë që njerëzit që luftojnë për jetën e tyre të luftojnë njëkohësisht edhe me sistemin. Në demokraci, një shtet matet me mënyrën si i trajton më të dobëtit. Ne këtë test, kemi dështuar rëndë. E neveritshme, e pafalshme dhe mbi të gjitha, e dënueshme”, ka shkruar Berisha në një postim në Facebook.