Mbi tre muaj në arrati, tre të dyshuarit për tentim-vrasjen e Jeton Buqukut të pakapshëm

Mbi tre muaj pas tentim-vrasjes së afaristit Jeton Buquku, tre të dyshuarit vazhdojnë të mbeten në arrati dhe ende nuk janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

Të dyshuarit Ariian Qelaj, Yll Qelaj dhe Altin Qelaj, familjarë mes vete, dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “vrasje e mbetur në tentativë” më 11.01.2026.

Ata janë në kërkim që nga dita e incidentit, ndërsa pavarësisht angazhimeve të Policisë së Kosovës, ende nuk është arritur i arrestimi i tyre.

“Jo ende nuk janë arrestu, Policia është duke punuar intenzivisht për kapjen e tyre”, i tha Paparacit, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Me qëllim të identifikimit dhe kapjes së tyre, më 12 janar 2026 Policia e Kosovës ka publikuar fotografitë e tre të dyshuarve.

Sipas të dhënave zyrtare, Arian Qelaj është 44-vjeç, nga fshati Maznik i Deçanit, Yll Qelaj, i lindur më 29 korrik 2003, është djali i tij, ndërsa Altin Qelaj, 21-vjeç, po ashtu nga Mazniku, është familjar i tyre.

Arian Qelaj (majtas), Yll Qelaj (në mes), Altin Qelaj (djathas)

Sipas hetimeve, tre të dyshuarit dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri Jeton Buqukun, pronarin e kompanisë për përpunimin e mishit “Buquku Sh.p.k.”.

Rasti kishte ndodhur në rrugën “Adem Jashari” në Pejë dhe ishte konfirmuar nga Policia për Rajonin e Pejës.

“Sot rreth orës 09:55, Policia është njoftuar se në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri, Policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, personi i plagosur është dërguar në emergjencën e spitalit në Pejë, dhe për shkak të natyrës së lëndimeve dërgohet në QKUK, Prishtinë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Buquku fillimisht ka marrë trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, për t’u transferuar më pas në Qendrën Klinie Universitare të Kosovës në Prishtinë. Sipas mjekëve, gjendja e tij ishte stabilizuar dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Pamjet nga vendi i ngjarjes, të publikuara nga Paparaci, tregojnë momentin kur viktima sapo kishte dalë nga automjeti i tij dhe po hynte në ambientet e punës, kur është sulmuar nga tre persona.

Në video shihet një nga të dyshuarit duke e qëlluar me armë zjarri.

Në një deklaratë për Paparacin, Buquku ka thënë se nuk i ka njohur personat që e sulmuan, duke shtuar se “mund të jenë shtyrë nga dikush tjetër”.

Hetimet e Policisë së Kosovës kanë çuar në identifikimin e tre të dyshuarve, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, sipas të dhënave të mëhershme, Arian Qelaj kishte qenë i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës edhe në dhjetor të vitit 2019, për dyshime për dhunim dhe lëndim të rëndë trupor, ndërsa besohet se në atë kohë ishte arratisur në Gjjermani.

Po ashtu, ai dhe vëllai i tij, Ismet Qelaj, ishin akuzuar nga Prokuroria e Pejës për rrahjen e dy personave në një kafiteri në fshatin Raushiq të Pejës.