OVL e UÇK-së paralajmëron protesta, kërkon ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Gazmend Syla, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka bërë të ditur se i ka adresuar tri kërkesa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe u.d. të presidentes, Albulena Haxhiu, për të cilat sipas tij ende nuk ka marrë përgjigje, duke paralajmëruar edhe protestë.

Syla sqaroi kërkesat e dërguara dhe mungesën e përgjigjes nga institucionet.

“E deshëm t’ju njoftojmë edhe ju, por edhe opinionin publik, se ne diku me datën 20 shkurt i kemi dërguar një kërkesë zotëri Albin Kurti edhe zonjës Albulena Haxhiu. Në fakt është një kërkesë që ka tri kërkesa të tjera brenda kësaj kërkese.

Bëhet fjalë për njëra që është më e rëndësishmja për ne: është hartimi dhe miratimi i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prej kësaj date, pra 20 shkurt të 2026-ës, nuk kemi marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, qoftë eventualisht edhe për një takim të mundshëm me krerët e këtyre dy institucioneve.

E prandaj, ju bëjmë me dije se ne kemi dalë, kemi diskutuar me të gjitha strukturat tona, pra degët tona që i kemi nëpër të gjithë vendin, edhe kërkojmë nga këtu, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga Parlamenti i Republikës së Kosovës, që urgjentisht të marrë hapat e parë drejt fillimit të hartimit të këtij ligji, pra, dhe miratimit të këtij ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës të UÇK-së sa më parë“, u shpreh Syla.

Ai shtoi se nëse nuk ka reflektim nga institucionet, do të detyrohen të dalin në protesta.

“Ju e dini që prej pasluftës, ne si organizatë e veteranëve të luftës, po edhe shoqata të tjera, i kemi cekë këto probleme që i kemi me këta njerëz të cilët ofendojnë luftën tonë çlirimtare prej pasluftës, por kjo logjikë e të menduarit të këtyre njerëzve veçse është rritë, e po rritet vazhdimisht kohëve të fundit.

Prandaj, edhe me strukturat tona që kemi diskutuar nëpër të gjitha degët tona, kemi marrë vendim që: në qoftë se Qeveria e vendit tonë, Parlamenti i vendit tonë, nuk merr iniciativë për hartimin e këtij ligji, neve nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të dalim në rrugë dhe të protestojmë për këto të drejta që na takojnë.

Kjo ka qenë ideja e ftesës sot për ju, prandaj edhe njëherë e përsërisim: në qoftë se nuk do të reflektojnë dy institucionet e vendit tonë, Qeveria dhe Parlamenti, për hartimin dhe miratimin e këtij ligji, do të jemi të gatshëm të dalim të protestojmë për këtë të drejtë që na takon“, tha ai tutje.