Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet për organizim të bixhozit të paligjshëm

Inspektorati Policor i Kosovës e ka arrestuar një zyrtar policor nën dyshimet se i njëjti ka kryer veprën penale Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas komunikatës, arrestimi i zyrtarit policor është mundësuar pas hetimit me masa të fshehta hetimore nga IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

I arrestuari thuhet se ka pranuar shumën prej 2000 euro si pjesë e një shume të përgjithshme në lidhje me veprën penale.

“Me datën 16.04.2026, IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore-Ferizaj, ka zhvilluar hetim me masa të fshehta, simulim i korrupsionit, ku është arrestuar në flagrancë një zyrtar policor nga Stacioni Policor Shtërpcë, Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj pasi dyshohet se ka pranuar shumën prej 2000 euro si pjesë e një shume të përgjithshme në lidhje me veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm””, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Me vendim të Prokurorit zyrtari policor është dërguar në mbajtje për 48 orë.