“Kemi bërë gjënë më të rëndësishme në futboll; treguam karakter. Kemi qenë tri herë në disavantazh ndaj Real Madridit, ishte e vështirë, megjithatë fituam 4-3. Edhe mënyra si luajtëm është e rëndësishme, sidomos për tifozët. Të fituarit është pjesë e punës sonë, por edhe t’u dhurojmë tifozëve tanë diçka të veçantë”. Kështu, në mikrofonat e “Prime Video”, trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, foli pas fitores ndaj Real Madridit.
“Ëndërrojmë në mënyrë të madhe që nga fillimi i sezonit, – shtoi ai. – Në gjysmëfinale do të luajmë kundër kampionëve në fuqi të Europës, që janë në formë shumë të mirë, mezi po presim. Jam i lumtur dhe krenar për skuadrën time.
Ishte një ndeshje me shumë emocione. Kishim shumë posedim dhe ndjenjën se mund të shënonim gol tjetër. Ata janë jashtëzakonisht të shpejtë dhe të rrezikshëm, nuk mund të relaksohesh kurrë plotësisht kundër Real Madridit. Mendoj se djemtë ishin shumë të fortë mendërisht sonte. Jam krenar që u rikthyem dy herë. Tifozët na ndihmuan dhe gjithmonë kisha ndjesinë se skuadra do të rikthehej. I fiton këto momente sepse i ke merituar vazhdimisht gjatë sezonit.
Gjëja më e rëndësishme për mua është se djemtë luajtën pa frikë sonte. Nuk mjafton vetëm ta thuash këtë, duhet edhe ta tregosh. Dhe e bënë. Shpesh janë detajet, ato që vendosin nëse fitojmë apo humbasim. Thelbësore për mua është që, pas ndeshjes, të mos qëndrojmë duke pyetur veten ‘çfarë ishte kjo’, por përkundrazi, të kemi dhënë gjithçka në fushë”.
The post Tri herë në disavantazh, Kompany: Më e rëndësishmja, treguam karakter ndaj Real Madridit appeared first on Telesport.









