Ekipet e inxhinierisë të KFOR-it nga Komanda Rajonale Perëndim, sot zhvilluan patrulla këmbësorie në zonën e përgjegjësisë së kësaj komande rajonale.
Për këto aktivitete ka njoftuar KFOR-i në Facebook, transmeton Paparaci.
Ato janë zhvilluar me mbështetjen e qenve posaçërisht të trajnuar (njësitë K9).
Këto patrulla të rregullta, theksojnë ata, u mundësojnë pjesëtarëve të KFOR-it të vlerësojnë dhe të kontrollojnë rrugët, duke identifikuar rreziqe të mundshme, ndërsa integrimi i njësive K9 përmirëson aftësinë e tyre për zbulimin e kërcënimeve.
“Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, pjesëtarët e KFOR-it ruajnë ndërgjegjësimin situacional dhe kontribuojnë në stabilitetin në të gjithë rajonin, gjë që pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
“Me qëllim që të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si forca të sigurisë”, kanë bërë të ditur nga KFOR-i.










