MINTI shqipton gjoba ndaj KEDS-it për njehsorët me afat të skaduar të verifikimit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pas ankesave të pranuara nga konsumatorët, ka intensifikuar aktivitetet në terren përmes Komisionit Verifikues për njehsorët elektrikë.

Sipas njoftimit thuhet se gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se nga ana e KEDS-it nuk është respektuar afati i vlefshmërisë së njehsorëve elektrikë.

“Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji (neni 46, paragrafi 1.3, nënparagrafi 1.3.2), ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë”, thuhet në njoftim.

Me qëllim të lehtësimit të raportimit të parregullsive në treg, nga sot është funksionalizuar edhe një numër mobil për pranimin e ankesave. Qytetarët mund të adresojnë ankesat e tyre në çdo kohë, përfshirë ditët e vikendit dhe festat, edhe përmes platformës Viber.