Azemi: Turp atyre që lirojnë kriminelët serbë e na dënojnë neve për reagim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi ka reaguar ndaj dënimit me 1 vit e gjashtë muaj burgim ndaj tij, që Gjykata mori sot për veprën “nxitje e përçarjes”.

Ka shkruar se “ata që lirojnë terroristët serbë që gjuajnë bomba duan të na dënojnë neve aktivistëve shqiptarë vetëm sepse reaguam ndaj këtij skandali”.

“Arlind Manxhuka dhe unë sot u dënuam nga 1 vit e 6 muaj burg, pa asnjë provë nga sistemi i vjetëruar i drejtësisë që liron terroristët serbë. Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani u dënuan me nga 6 muaj burgim. Krejt kjo nga ata që i nënshtrohen Serbisë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, janë katër vjet burgim për ata që reagojnë kur lirohen kriminelët serbë që gjuajnë bomba e vrasin policë.

Çantat që vijnë andej kufirit të Republikës kurrë nuk do të na mbyllin gojën. Rroftë Republika e Kosovës, turp atyre që lirojnë kriminelë serbë e neve na dënojnë veç pse reagojmë”, ka shkruar ai në Facebook.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar zëdhënësin e Qeverisë Arlind Manxhuka dhe deputetin Egzon Azemi me nga një vit e 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes. Ndërsa të akuzuarit Edi Zenelaj dhe Qerim Elshani me 6 muaj burgim për kanosje.

Zëdhënësi i Qeverisë dhe deputeti i LVV-së dënohen për nxitje të përçarjes