Shkruan: Burim Gjaka
Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e një shoqërie. Siç ka thënë Nelson Mandela, “arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorësh për të ndryshuar botën”. Por çfarë ndodh kur kjo “armë” dobësohet jo vetëm nga mungesa e vizionit, por edhe nga keqmenaxhimi, qoftë ai i qëllimshëm apo rezultat i neglizhencës institucionale?
Për vite me radhë, sistemi ynë arsimor është shoqëruar nga premtime të mëdha dhe reforma të shpallura me bujë, por që në praktikë kanë prodhuar pak ose aspak rezultate. Sot, përballë një realiteti të zymtë nëpër shkolla, lind pyetja thelbësore: a kemi të bëjmë me paaftësi për të menaxhuar arsimin, apo me një keqmenaxhim të qëllimshëm që po e dëmton atë në mënyrë të vazhdueshme?
Po e trajtojmë këtë temë sepse heshtja përballë degradimit të shkollës po na kushton shtrenjtë, duke rrezikuar humbjen e një brezi të tërë. Arsimi në vendin tonë nuk po dështon rastësisht. Ai po dobësohet nga një zinxhir vendimesh politike dhe administrative të papërgjegjshme, pasojat e të cilave po i paguajnë drejtpërdrejt fëmijët tanë me të ardhmen e tyre.
Gjithçka nis me mitin e “mësimit tërëditor”, një slogan ky që po riciklohet në çdo fushatë elektorale si standard evropian, por që në praktikë mbetet kryesisht një iluzion. Madje, problemi është edhe më i thellë: as ato 5–6 orë që nxënësit i kalojnë aktualisht në shkollë nuk po prodhojnë rezultatet e pritura. Në mungesë të akteve juridike funksionale që garantojnë disiplinë dhe sjellje të përgjegjshme të nxënësve, si dhe për shkak të mungesës së përgjegjësisë prindërore, mësimdhënësit po detyrohen të zhvendosin fokusin nga mësimdhënia në menaxhimin e rendit. Në shumë raste, ata po shndërrohen në “roje sigurie”, të cilët për 5–6 orë në ditë kujdesen kryesisht për të shmangur konfliktet dhe incidentet mes nxënësve, ndërsa procesi i mirëfilltë i mësimdhënies dhe nxënies kalon në plan të dytë.
Kjo situatë bie ndesh edhe me gjetjet ndërkombëtare, ku sipas OECD, cilësia e arsimit lidhet drejtpërdrejt me kohën efektive të angazhimit të nxënësit në mësim dhe jo thjesht me kohëzgjatjen formale të qëndrimit në shkollë.
Institucionet përgjegjëse vazhdojnë të prodhojnë dokumente dhe kurrikula të hartuara shpesh si “copy-paste”, të cilat imitojnë modele të huaja pa marrë parasysh realitetin tonë. Këto modele kërkojnë resurse njerëzore të specializuara dhe infrastrukturë teknologjike që mungojnë në shumicën e shkollave. Si pasojë, po eksperimentojmë me teori moderne në kushte minimale, duke e shndërruar qëndrimin e zgjatur të nxënësve në klasë në një proces shpesh pasiv, ku koha kalon pa prodhuar rezultate reale.
Kriza e cilësisë përkeqësohet më tej nga menaxhimi i dobët financiar. Kontratat kolektive të nënshkruara ndër vite, pa mbulim të qëndrueshëm buxhetor, janë kthyer në barrë për komunat. Për pasojë, buxhetet lokale përballen me presion të vazhdueshëm financiar, ku një pjesë e konsiderueshme e mjeteve që duhej të shkonin për investime në arsim – laboratorë, biblioteka, mirëmbajtje etj. përfundojnë në shlyerje obligimesh të trashëguara. Në terren, kjo përkthehet në shkolla me mungesa elementare: nga mjetet bazë higjienike e deri te ato didaktiko-pedagogjike.
Sipas të dhënave të UNESCO, vendet që investojnë më pak në arsim përballen drejtpërdrejt me rënie të cilësisë dhe rritje të pabarazisë sociale. Edhe më shqetësues mbetet fakti se formula e financimit për arsimin nuk është përditësuar në përputhje me rritjen e kostos së jetesës, duke e mbajtur sistemin në një gjendje të vazhdueshme nënfinancimi. Për 2 dekada askush nuk është marrë me këtë qështje.
Kësaj situate i shtohet edhe mospërputhja ndërmjet akteve ligjore, rregulloreve dhe udhëzimeve administrative, e cila krijon konfuzion dhe bllokim në zbatimin e politikave arsimore në nivel lokal.
Në këtë realitet të ndërlikuar, mësimdhënësit po përballen me një barrë të rëndë administrative që në shumë raste nuk kontribuon në rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Siç ka theksuar John Hattie ” dikimi më i madh në suksesin e nxënësit vjen nga cilësia e mësimdhënies dhe ndërveprimi në klasë, jo nga burokracia”. Megjithatë, sot mësimdhënësit po konsumojnë energjinë e tyre në dokumente në vend të nxënësve.
Po aq sfiduese është edhe pozita e drejtorëve të shkollave. Në mungesë të harmonizimit të akteve juridike, të cilat shpesh keqinterpretohen dhe zbatohen në mënyrë selektive, drejtuesit e shkollave shpesh bëhen objekt presioni nga institucione dhe grupe të ndryshme interesi, duke u shndërruar në “shënjestra” të sistemit.
Sot, një drejtor nuk është realisht i lirë në vendimmarrje. Titulli “drejtor” ekziston më shumë në letër sesa në praktikë. Në realitet, shumë drejtues janë reduktuar në rolin e administratorëve me kompetenca të kufizuara, pa mjete bazike për punë. Në disa shkolla mungojnë edhe kushtet minimale si letra, ngjyra apo pajisjet për administratë, ndërkohë që kërkesat për performancë rriten vazhdimisht.
Në shumë raste, drejtoret detyrohen të mbulojnë nga xhepi i tyre shpenzime elementare për funksionimin e shkollës, nga materiali didaktik e deri te nevoja të tjera urgjente, duke bërë situatën shumë paradoksale sepse pikërisht aty ku mungojnë fotokopjet dhe materialet mësimore, të kërkosh rezultate të larta është “non sens”. Në këtë realitet, shpesh janë donatorët ata që mbajnë në këmbë arsimin më shumë sesa vetë shteti.
Këtu, mësuesi mbetet figura më e ekspozuar dhe më e pambrojtur. Kreativiteti, frymëzimi dhe roli mentorues zbehen përballë një sistemi që shpesh vlerëson më shumë raportet dhe statistikat sesa përmbajtjen reale të procesit mësimor. Siç ka thënë Albert Einstein, “arsimi nuk është mësimi i fakteve, por trajnimi i mendjes për të menduar”.
Shkolla nuk duhet të reduktohet në një hapësirë ku thjesht “kalohet koha”. Ajo duhet të jetë një vend ku ndërtohet mendimi kritik, zhvillohen aftësitë dhe formohet qytetari i së nesërmes. Për këtë arsye, edhe prindërit duhet të jenë më kërkues nga shteti dhe më të angazhuar, duke kërkuar llogari për cilësinë reale të arsimit që marrin fëmijët e tyre.
Në fund, për të dalë nga kjo gjendje, nevojiten hapa konkretë dhe të menjëhershëm:
Harmonizimi i plotë i akteve ligjore dhe administrative për të shmangur konfuzionin dhe keqinterpretimet
Rishikimi i formulës së financimit të arsimit në përputhje me realitetin ekonomik
Ulja e ngarkesës administrative për mësimdhënësit
Fuqizimi real i rolit të drejtorëve me autonomi dhe mbështetje
Investime konkrete në kushte bazike dhe mjete mësimore.
Është koha që arsimi të trajtohet si prioritet kombëtar afatgjatë. Përndryshe, një sistem i dobët arsimor nuk prodhon vetëm nxënës të dobët, por automatikisht edhe. një shoqëri të dobët.










