𝙃𝙚𝙨𝙝𝙩𝙟𝙖 𝙚 𝙡𝙪𝙛𝙩ë𝙩𝙖𝙧𝙞𝙩

Shkruan: Gëzim Saraçi

Ndonjëherë njeriu hesht për shkak të frikës, të lodhjes apo edhe të mungesës së fjalëve, por ndonjëherë rrethanat janë ato që e bëjnë atë të hesht. Në rrethanat aktuale vërehet dukshëm heshtja e luftëtarit. Ajo është e rëndë, e thellë dhe e vetëdijshme.

E në rrethanat aktuale të zhvillimit të një propagande të ashpër ndaj tij dhe ndaj kauzës së tij, luftëtari nuk hesht se nuk ka çfarë të thotë, por sepse është i vetëdijshëm se në rrethanat kur drejtësia është lidhur nyje me politikën, jo çdo fjalë e tij mund të shërbejë në të mirë të tij, apo të kauzës për të cilën ai luftoi.

Propaganda e pareshtur, që pa asnjë dyshim vjen nga Serbia dhe zgjatimet e saj, përpiqet ta përmbysë historinë, ta relativizojë heroizmin e luftës çlirimtare dhe ta njollosë atë. Ndërsa, zgjatimet e Serbisë, apo zërat e brendshëm të atyre që nuk iu përgjigjën thirrjes së atdheut, që qëndruan anash, madje edhe që penguan përpjekjen çlirimtare, sot marrin guximin të flasin, të gjykojnë dhe të akuzojnë, duke hedhur në platformat e rrjeteve sociale lloj-lloj propagande të paimagjinueshme dhe duke provuar që duke i përsëritur ato, me shpërndarje të përditshme, t’i shndërrojnë në fakte.
Njerëz të tillë e ndjejnë mungesën e një kohe të shkuar, të një Jugosllavie që për ta ishte rehati, ndërsa për popullin robëri.

Përballë gjithë këtyre propagandave, heshtja e luftëtarit duhet të vlerësohet si ruajtje e një balance të brishtë në një kohë kur disa prej bashkëluftëtarëve edhe sot përballen me padrejtësinë në Hagë.

Çdo reagim i pamatur, çdo shpërthim emocional, mund të shfrytëzohet nga ata që presin momentin e tyre për ta goditur të vërtetën e luftës çlirimtare. Dhe luftëtari e di këtë.
Megjithatë është e rëndësishme që kjo heshtje të mos konsiderohet si pajtim me padrejtësinë apo nënshtrim ndaj propagandës, por si formë e rezistencës që nuk ka nevojë të flas për ta vërtetuar atë që historia do ta dëshmojë.

Pavarësisht të gjithave, njerëzit që mbajnë mbi supe trashëgiminë e luftës, duhet ta kuptojnë se kredibiliteti nuk është kapital i përhershëm, por ai duhet të mirëmbahet dhe të ruhet me njerëz të pastër, me integritet të pakompromis dhe me përgjegjësi ndaj shtetit të së drejtës. Pra, nuk mjafton vetëm të kesh qenë pjesë e historisë.
Prandaj kjo është një thirrje për reflektim, dhe përmes reflektimit të bëhet luftë e matur ndaj propagandës, pa rënë në grackën e armikut, por duke hapur mundësinë për figura me kredibilitet personal, intelektual e kombëtar.

Njerëzve të luftës nuk u duhen në ballë të oxhakut njerëz që lehtë skuqin duart e tyre duke duartrokitur për t’u dëshmuar besnikë, njerëz të fajdeve, të haraçit e shpërdorues të ndryshëm, sepse kur qëndrojnë me ta apo afër tyre propaganda lehtë do ta mbërrijë efektin e vet, dhe në një formë edhe ka kuptim, ani pse vjen e porositur.
Thuhet që ndryshimi fillon nga ti, andaj fillo nga vetja, dhe fillo menjëherë.

Heshtja e luftëtarit nuk është fundi i fjalës, por pritja për fjalën, e kur pritja të përfundojë, fjala e luftëtarit do të jetë më e fuqishme se çdo propagandë, më e pastër se çdo shpifje dhe më e qëndrueshme se çdo përpjekje për ta ndryshuar të vërtetën tonë krenare.