Ish-organizatori i iniciativës qytetare Ta Pastrojmë Kosovën, Hasanaj, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, duke theksuar se pamjet e shpeshta të ndotjes nuk janë rastësi, por pasojë e mungesës së vetëdijes dhe angazhimit institucional.
Sipas tij, fakti që “pothuajse çdo ditë shohim postime me pamje të vendeve të ndotura” tregon qartë se mjedisi nuk është më prioritet shoqëror e institucional, ashtu siç ishte disa vite më parë. Hasanaj rikujton periudhën kur pastrimi i mjedisit ishte mobilizim kombëtar dhe kur institucionet, bizneset dhe qytetarët ndiheshin të detyruar të reagonin.
“Ajo nuk ndodhi vetvetiu. Ndodhi sepse pati një fushatë të madhe, të organizuar, me presion publik dhe me angazhim qytetar”, ka shkruar ai, duke iu referuar iniciativës Ta Pastrojmë Kosovën.
Në postimin e tij, Hasanaj thekson se kjo lëvizje u përball me sulme të vazhdueshme, përfshirë akuza të ulëta, shpifje, insinuata dhe interesa të ngushta, materiale apo politike. “Nga ‘po merrni para’ deri te insinuata absurde, gjithçka u bë për ta zbehur një lëvizje që po funksiononte”, shprehet ai.
Sipas Hasanajt, mungesa e fushatave të tilla dhe e presionit të organizuar qytetar po reflektohet sot drejtpërdrejt në gjendjen e mjedisit. Ai u bën thirrje qytetarëve që, para se të ankohen, të reflektojnë mbi kohën kur iniciativa që mobilizonte shoqërinë u sulmua dhe të kuptojnë se “adresa është e qartë”.
“Mjedisi nuk mbrohet me postime revoltuese. Mbrohet me organizim, me presion publik dhe me angazhim real”, përfundon Hasanaj.










