“Mësimdhënësi i dalluar”: vlerësim meritor apo proces kozmetik?

Shkruan: Burim Gjaka

Në çdo shoqëri që synon zhvillim të qëndrueshëm, arsimi mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja. Brenda këtij sistemi, vlerësimi i mësimdhënësve duhet të jetë një akt serioz institucional, i bazuar në meritë, ndikim real dhe standarde profesionale. Në Kosovë, megjithatë, përzgjedhja e “Mësimdhënësit të dalluar” rrezikon të mbetet më shumë një ritual simbolik sesa një mekanizëm real vlerësimi të performancës.

Çdo vit, në prag të 7 Marsit, arsimi përfshihet nga një rutinë e vjetër administrative: përzgjedhja e “Mësimdhënësit të dalluar” në tri nivele; shkollë, komunë dhe republikë. Përtej luleve, mirënjohjeve dhe fjalimeve solemne, ky proces po shfaq gjithnjë e më hapur një krizë të thellë vlerësimi. Ajo që duhej të ishte festë e meritokracisë dhe motivimit profesional, në praktikë po shndërrohet në një proces kryesisht kozmetik, i mbushur me kritere formale, shpesh joreale, dhe me mungesë të theksuar vizioni institucional.

Procesi aktual mbështetet në kritere të hartuara nga MASHTI, të cilat më shumë i ngjajnë një liste dëshirash sesa një instrumenti të mirëfilltë vlerësimi. Këto kritere duken sikur janë hartuar në zyra administrative, larg realitetit të klasës, sfidave të përditshme pedagogjike dhe kontekstit socio-ekonomik në të cilin punojnë mësimdhënësit. Si rezultat, kriteret jo vetëm që nuk matin realisht cilësinë, por shpesh prodhojnë padrejtësi dhe demotivim.

Diskriminimi mbi bazë përvoje (moshë preferenciale)

Kërkesa për së paku tetë vite përvojë pune përjashton automatikisht mësimdhënësit e rinj, të cilët në shumë raste shquhen për energji, kreativitet dhe përdorim të metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Nuk ekziston asnjë argument profesional bindës që e shpjegon pse përvoja prej shtatë vitesh nuk mjafton, ndërsa ajo prej tetë vitesh konsiderohet kriter dallues. Përvoja nuk matet thjesht me vite pune, por me ndikimin në nxënie, rezultate konkrete dhe zhvillim profesional të vazhdueshëm. Në praktikë, një mësimdhënës i përkushtuar mund ta dëshmojë cilësinë e profesionalizmin e tij edhe brenda 3–5 viteve pune. Në këtë kontekst, lind pyetja thelbësore: a po vlerësohet cilësia apo thjesht kalimi i kohës?

Zhvillimi profesional i komercializuar

MASHTI kërkon certifikata të akredituara si dëshmi të zhvillimit profesional, por në të njëjtën kohë ofron shumë pak trajnime falas dhe të qasshme për mësimdhënësit. Në mënyrë paradoksale, sot zhvillimi profesional i mësimdhënësve mbështetet më shumë nga SBASHK-u sesa nga institucionet shtetërore. Kjo situatë e ka kthyer zhvillimin profesional në një proces të kushtëzuar nga mundësitë financiare personale. Mësimdhënësit që nuk kanë kapacitete ekonomike për të paguar trajnime dhe certifikata mbeten automatikisht jashtë garës, pavarësisht përkushtimit dhe cilësisë së punës së tyre.

Në nivel shkolle, përzgjedhja i është lënë Këshillit të Mësimdhënësve, duke e ekspozuar procesin ndaj ndikimeve subjektive, simpative personale dhe marrëdhënieve kolegiale. Shpesh, ky proces i ngjan më shumë një gare të brendshme sesa një vlerësimi profesional të bazuar në kritere të matshme. Veçanërisht problematik është përjashtimi i nxënësve nga procesi i vlerësimit. Në të gjitha nivelet zëri i tyre injorohet plotësisht, ndonëse pikërisht ata janë dëshmitarët më të drejtpërdrejtë të cilësisë së mësimdhënies dhe përkushtimit të mësuesit.

Edhe roli i drejtorit të shkollës mbetet i kufizuar dhe shpesh simbolik. Kjo është paradoksale, pasi drejtori është figura që ka përgjegjësi direkte për monitorimin e vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve. Mungesa e rregullave të qarta dhe e hierarkisë së përgjegjësive po i shndërron kolektivet arsimore në hapësira përçarjeje, duke prodhuar tensione, hatërmbetje dhe ndarje që zgjasin përtej procesit të vlerësimit.

Në nivel komunal dhe republikan, paqartësia thellohet edhe më shumë. Nuk ekziston një rregullore unike e hartuar nga MASHTI që do të standardizonte procesin e vlerësimit në të gjitha nivelet. Pa komisione profesionale të pavarura që analizojnë portofolin, ndikimin dhe rezultatet konkrete të mësimdhënësit, përzgjedhja shpesh reduktohet në një proces mekanik, ku ndikimi institucional apo lidhjet personale peshojnë më shumë sesa merita. Është e pakuptimtë dhe joprofesionale që kriteret të mbeten të njëjta në nivel shkolle, komune dhe republikë, pa asnjë shkallëzim të kërkesave.

Ironikisht, shteti ka zgjedhur që performancën pozitive ta shpërblejë pothuajse pa asnjë vlerë materiale. Në shumicën e rasteve, “Mësimdhënësi i dalluar” shpërblehet vetëm me një fletë mirënjohjeje dhe një fotografi ceremoniale. Pa stimulim financiar apo përfitime profesionale, ky “vlerësim” nuk motivon, por përkundrazi dekurajon dhe relativizon vetë nocionin e performancës cilësore.

Për t’ia rikthyer kuptimin dhe dinjitetin këtij epiteti, nevojiten ndryshime thelbësore dhe të guximshme:

• Rishikimi i plotë i kritereve dhe largimi i atyre diskriminuese dhe joreale;
• Përfshirja e nxënësve të niveleve 2 dhe 3 në procesin e vlerësimit, me peshë të qartë (së paku 20%) në nivelin shkollor;
• Fuqizimi real i rolit të drejtorit të shkollës në vlerësimin profesional, për këtë proces;
• Hartimi i një rregulloreje unike nga MASHTI ku parashihet edhe krijimi i komisioneve profesionale të pavarura;
• Sigurimi i stimulimit material dhe përfitimeve profesionale për mësimdhënësit e dalluar në të tri nivelet.

Arsimi në Kosovë nuk ka nevojë për ceremoni formale që zgjasin një ditë, por për politika të qëndrueshme që ndërtojnë motivim afatgjatë. Vlerësimi i mësimdhënësve duhet të jetë një proces serioz, transparent dhe i drejtë, sepse vetëm një meritokraci reale mund të frymëzojë ata që çdo ditë formësojnë mendjen dhe karakterin e brezave të ardhshëm.