Dy vite nëpërkëmbje kushtetuese: Si po i grabit shteti mësimdhënësit, duke sfiduar hapur Gjykatën Kushtetuese

Shkruan: Burim Gjaka

“Nëse dëshironi të parashikoni të ardhmen e një kombi, shikoni se si ai i trajton mësimdhënësit e vet.” Ky citat i Winston Churchill sot nuk është thjesht reflektim moral, por akuzë politike dhe juridike ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ndërkohë që në diskursin publik mësimdhënësit shpallen “shtylla e shtetit”, veprimet konkrete të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ dëshmojnë të kundërtën: shkelje të qëllimshme të Kushtetutës dhe përvetësim të paligjshëm të pasurisë së tyre.

Ky shkrim merr shkas nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin KO79/23, i shpallur më 23 janar 2024, lidhur me Ligjin nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, një ligj që u prezantua si “reformë”, por që u rrëzua si ndërhyrje arbitrare në të drejtat e fituara.

Edhe pse Aktgjykimi ka efekt për të gjithë sektorin publik, analiza ime fokusohet në Sektorin e Arsimit, për shkak të natyrës specifike të profesionit të mësimdhënësit. Në arsim, përvoja e punës nuk është thjesht element financiar, por kategori juridike dhe profesionale që përcakton statusin, avancimin dhe dinjitetin profesional. Ligji i ri e ka zhvlerësuar këtë përvojë në mënyrë selektive dhe të pajustifikuar, duke shkelur parimin e barazisë dhe sigurisë juridike.

Ky shkrim synon të demonstrojë se injorimi tash e dy vite i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi dhe Qeveria nuk është neglizhencë administrative, por akt politik i vetëdijshëm, i motivuar nga interesa buxhetore, në kurriz të një kategorie që tradicionalisht nuk ka pushtet presioni.

Konstatimi kushtetues i shkeljes

Më 23 janar 2024, Gjykata Kushtetuese konstatoi se shteti kishte ndërhyrë në mënyrë arbitrare në pagat e punëtorëve të sektorit publik. Para hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 08/L-196, Ligji nr. 03/L-147 garantonte shtesë prej 0.5% për çdo vit përvoje pune. Ligji i ri e përgjysmoi këtë shtesë për 15 vitet e para, pa asnjë periudhë tranzitore. Gjykata vëren qartë se ky ndryshim ka shkaktuar humbje të drejtpërdrejtë të të drejtave të fituara, duke cenuar pritjen legjitime të punëtorëve dhe duke shkelur standardet kushtetuese dhe evropiane të mbrojtjes së pronës.

“Pritja legjitime” si kategori kushtetuese

Në pikat 365–367 të Aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese thekson se shtesa e përvojës prej 0.5% përbën “pasuri” në kuptim të Nenit 46 të Kushtetutës dhe Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo do të thotë se paga dhe çdo komponent i saj i fituar ligjërisht gëzon mbrojtje kushtetuese të drejtpërdrejtë.

Ndërhyrja e Qeverisë ishte e menjëhershme, pa paralajmërim dhe pa mekanizëm tranzitor, duke prodhuar ulje të menjëhershme të pagës.Gjykata thekson se mungon çdo arsyetim objektiv pse një mësimdhënës me 10 ose 15 vite përvojë duhet të vlerësohet më pak se një koleg me 16 vite përvojë. Ky diferencim artificial nuk mbështetet në asnjë kriter profesional, pedagogjik apo financiar.Megjithatë, pavarësisht këtij konstatimi të qartë, Aktgjykimi vazhdon të injorohet. Mësimdhënësit vazhdojnë të paguhen sipas një formule që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetuese, duke e kthyer shtetin nga garant i rendit kushtetues në shkelës të tij.

Pasoja juridike dhe ekonomike

Gjykata ka sqaruar se shtesa e përvojës nuk është “favor” apo “bonus”, por pasuri e fituar. Përgjysmimi i saj përkthehet në humbje mujore prej minimum 20 euro për çdo mësimdhënës, humbje reale që godet drejtpërdrejt sigurinë ekonomike të familjeve të tyre. Ndarja e përvojës në dy faza është cilësuar e pabazuar dhe diskriminuese. Ky model shkel parimin e pagës së barabartë për punë të barabartë dhe krijon përçarje të panevojshme brenda kolektiveve arsimore.

Injorimi institucional dhe borxhi në rritje

Injorimi i Aktgjykimit për mbi 700 ditë përbën shkelje të rëndë të parimit të sundimit të ligjit. Heshtja e Qeverisë dhe Kuvendit nuk është neutrale: për çdo muaj vonesë, shteti përfiton financiarisht duke mbajtur padrejtësisht pasurinë e mësimdhënësve. Ky veprim po krijon një borxh të shumëfishtë: përveç shumës bazë retroaktive (minimum 500 euro për mësimdhënës, për 24 muaj), shteti rrezikon të përballet me:

• kamata vonesash,
• shpenzime procedurale,
• tarifa avokatësh,
• dhe dëm reputacional institucional.
Neglizhenca e sotme do t’i kushtojë buxhetit miliona euro më shumë nesër.
Përfundim
Mësimdhënësit nuk janë palë që kërkojnë favore. Ata janë kreditorë kushtetues të shtetit. Me Aktgjykimin e 23 janarit 2024, shteti u shpall fajtor për cenim të pronës. Çdo ditë që kalon pa reflektim ligjor dhe pa pagesë retroaktive përbën shkelje të re kushtetuese. Dy vite injorim janë dëshmi e mjaftueshme se ky pushtet nuk e sheh Kushtetutën si normë detyruese, por si pengesë politike. Nëse institucionet vazhdojnë këtë kurs, beteja do të zhvendoset nga diskursi publik në sallat e gjykatave.

Shteti ua ka borxh mësimdhënësve 24 muaj shtesa të papaguara. Ky borxh nuk zhduket, vetëm rritet.