Familja e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka zbuluar për “Sportmania” se personi kyç që bëri të mundur kthimin e trupit të tij në Maqedoninë e Veriut brenda pak ditësh ka qenë Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit.
Ndërhyrja personale e Tares përshpejtoi procedurat e ndërlikuara ligjore në Itali, të cilat zakonisht zgjasin shumë, dhe lehtësuan një pjesë të barrës emocionale me të cilën familja po përballej pas humbjes së madhe.
Shpati ndërroi jetë natën e mbërritjes në Bergamo, ndërsa trupi i tij u transferua më pas në një spital të Milanos për analiza, obduksion dhe procedura të tjera ligjore. Në kushte normale, rikthimi i trupit do të kishte zgjatur ndjeshëm, por falë ndërhyrjes së Igli Tares, i ndjeri u kthye në Tetovë vetëm brenda 4 ditësh, duke u prehur aty të dielën e 30 nëntorit.
Vëllai i Shpatit, Albin Kasapi, shprehu mirënjohjen e familjes përmes “Sportmania”: “Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë. Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombasin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje”.
Shpat Kasapi ndërroi jetë mbrëmjen e 25 nëntorit pas një arresti kardiak në Bergamo të Italisë.
The post Igli Tare, çfarë shqiptari i madh! Ja si iu gjend familjes së Shpat Kasapit në zinë e madhe appeared first on Telesport.











