Haaland bën historinë e Premier League, thyen rekordin e Shearer të vitit 1995

Manchester City mposhti Fulhamin 5-4 në një ndeshje ku ndodhi gjithçka. Erling Haaland shkroi historinë e Premier League. Sulmuesi norvegjez e kishte të qartë se do të thyente një tjetër record, e vetmja pikëpyetje ishte se kur. Me golin e parë të City në transfertën ndaj Fulhamit, ai arriti shifrën 100 gola në kampionatin anglez, në një kohë rekord.

Me këtë gol, Haaland arrin 100 gola në vetëm 111 ndeshje. Para tij, rekordin e mbante Alan Shearer që nga viti 1995, i cili kishte nevojë për 124 ndeshje për ta prekur këtë kuotë. Shearer është golashënuesi më i mirë në historinë e Premier League, me gjithsej 260 gola.

Norvegjezi e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë, me 15 gola në 14 ndeshje. Ky nuk është rekordi i parë që thyen që nga mbërritja në “Etihad” më 2022. Tani është pjesë e “klubit 100”, ku bëjnë pjesë gjithsej 35 lojtarë.

“Të shënosh 100 gola në Premier League është diçka për të cilën jam vërtet krenar. Të gjithë e dinë se Premier League është kampionati më i vështirë në botë. Cilësia e skuadrave dhe mbrojtësve është e jashtëzakonshme, arritja e 100 golave në futbollin anglez është shumë speciale për mua”, – tha ai për mediat e Manchester City.

The post Haaland bën historinë e Premier League, thyen rekordin e Shearer të vitit 1995 appeared first on Telesport.