Van Dijk: Loja e Liverpool tani është një rrëmujë, duhet të marrim përgjegjësi për të dalë nga kriza

Kapiteni i Liverpool, Virgil van Dijk, thotë se ai dhe shokët e tij të ekipit po e zhgënjejnë trajnerin Arne Slot me lojën e tyre. Gjithsesi, ai është gati të mbështetë këdo për të dalë nga kjo situatë, që ai e quan një “rrëmujë”.

“Reds” humbën 0-3 të shtunën ndaj Nottingham Forest, një tjetër humbje të thellë, e teta në 11 ndeshje që i çoi ata në gjysmën e poshtme të tabelës. Ndërkohë që, mbrojtja e titullit të Premier League, po shkatërrohet javë pas jave.

Disa tifozë fishkëllyen në kohën e fundit dhe Van Dijk tha: “Ne padyshim po e zhgënjejmë Slot, por e kemi zhgënjyer edhe veten tonë”.

Ju shikoni veten së pari dhe pastaj ndihmoni njëri-tjetrin. Ndihmoni njëri-tjetrin të dalë nga kjo rrëmujë sepse për momentin është një rrëmujë, ky është vetëm një fakt. Si kampionë nuk mund të jemi në situatën në të cilën ndodhemi tani, por është një fakt”, tha Van Dijk.

Çfarë do të bëjmë për këtë? Do të përpiqemi ta përmbysim situatën dhe ky është mentaliteti që të gjithë duhet të kenë. Duhet të jemi të gjithë të zemëruar. Gjëja kryesore për mua është që të gjithë duhet të marrin përgjegjësi”, shtoi më tej Van Dijk.

Nuk e di nëse njerëzit po marrin përgjegjësi, por duhet ta bëjnë këtë. Është gjëja kryesore që dua që djemtë të bëjnë. Nuk është e lehtë në kohë të vështira, por ne duhet ta bëjmë nëse duam të dalim nga kjo. Ditë e vështirë”, tha Van Dijk.

The post Van Dijk: Loja e Liverpool tani është një rrëmujë, duhet të marrim përgjegjësi për të dalë nga kriza appeared first on Telesport.