Gjatë ditës së sotme, një polic është penguar në kryerjen e detyrës së tij zyrtare gjatë patrullimit.
Klan Kosova mëson se zyrtari policor M.Z., teksa ishte në detyrë, ka ndaluar qytetarin Meriton Tërshnjaku, nga i cili është kanosur e kërcënuar.
Incidenti ndodhi pasi polici i kishte shqiptuar gjobën prej 40 eurosh për shkak të tejkalimit të shpejtësisë në një zonë të Dragashit.
I dyshuari i është kthyer policit me ofendime e kërcënime, për çka tashmë ekziston një raport i oficerit tek organet përgjegjëse brenda policisë.
“Ki me pa prej sot kush jam unë, ko me ta bo edhe ty qysh ua kom bo policëve të tjerë para teje. Ki me ma pa sherrin prej sot, na të dy ku do të takohemi do e shohësh tani ti kush jam unë, e çka ka me të gjet ty”, ishin fjalët që i dyshuar Tërshnjaku ia tha zyrtarit policor.
Në dokumentin e siguruar nga gazetarja, Altiana Zogaj thuhet po ashtu se pasi Tërshnjaku u largua, ai është kthyer edhe dy herë të tjera në atë drejtim me shpejtësi edhe më të madhe.
E gjithë ngjarja po del të ketë ndodhur si pasojë e një dënimi tjetër që polici ia kishte shqiptuar edhe më herët atij.
Klani mëson se i dyshuari është arrestuar sot rreth orës 18:00 dhe me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë.



															








