Qeveria suedeze ka njoftuar se do të shkurtojë ndihmën për Serbinë, duke argumentuar se vendi nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin dhe për të respektuar sundimin e ligjit.
“Disa forma të mbështetjes për autoritetet publike serbe do të ndërpriten dhe ndihma do të përqendrohet më shumë në forcimin e shoqërisë civile”, shpjegoi qeveria suedeze në një deklaratë, transmeton Telegrafi.
Rënia e një çatie betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, e cila vrau 16 persona, përfshirë dy fëmijë, shkaktoi një nga lëvizjet më të mëdha protestuese në historinë e vendit.
Për kundërshtarët e presidentit Aleksandar Vuçiq, aksidenti është bërë një simbol i korrupsionit, të cilin ata e thonë se është një problem me projektet masive të punëve publike që janë duke u zhvilluar në të gjithë vendin.
“Situata në Serbi po zhvillohet në drejtimin e gabuar. Kjo vlen si për korrupsionin në rritje ashtu edhe për mosrespektimin e sundimit të ligjit”, theksoi Ministri i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Tregtisë së Jashtme, Benjamin Dousa në një deklaratë.
“Vendet nuk mund të presin mbështetje suedeze nëse nuk zbatojnë reformat dhe progresin që presim. Kjo është arsyeja pse po i prezantojmë këto ndryshime tani”, shtoi ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë “e priti me keqardhje njoftimin” e Suedisë për uljen e ndihmës.
Deklarata pohon se “është arritur përparim i matshëm në shumë fusha”. Shtohet se “çdo vlerësim i përpjekjeve për reforma pritet të bazohet në tregues realë, jo në narrativa politike apo interpretime mediatike”.
Suedia “e monitoron nga afër situatën në Serbi dhe ka vënë re për njëfarë kohe mungesën e angazhimit ndaj reformave nga qeveria serbe”, duke përfshirë edhe në fushën e mbrojtjes së lirive themelore si liria e shprehjes dhe shtypi.



															






