SHBA-ja dhe Kina arrijnë ‘marrëveshjen përfundimtare’ për shitjen e TikTok

Sekretari i thesarit amerikan, Scott Bessent, deklaroi të dielën se SHBA-të dhe Kina kanë finalizuar detajet e një marrëveshjeje që transferon versionin amerikan të TikTok te pronarët e rinj.

“Arritëm një marrëveshje përfundimtare për TikTok”, ka thënë Bessent të dielën në emisionin Face the Nation të CBS me Margaret Brennan.

Duke iu referuar Donald Trump dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, Bessent vazhdoi: “Arritëm [një marrëveshje] në Madrid dhe besoj se që nga sot, të gjitha detajet janë sqaruar dhe se do t’u mbetet dy udhëheqësve ta përfundojnë këtë transaksion” gjatë një takimi të planifikuar për të enjten në Kore.

Bessent nuk zbuloi asnjë detaj të marrëveshjes. Por ai tha se ishte pjesë e një kuadri më të gjerë – të rënë dakord nga SHBA-të dhe Kina – të një marrëveshjeje të mundshme tregtare që do të diskutohet kur Trump dhe Xi të takohen në ditët në vijim.

Komentet nga Bessent erdhën pasi Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv më 25 shtator duke hapur rrugën për një marrëveshje për pronësi të re me seli në SHBA, me shumicën e investitorëve amerikanë.

“Unë nuk jam pjesë e anës komerciale të transaksionit”, shtoi Bessent. “Detyra ime ishte të bindja kinezët të bien dakord për të miratuar transaksionin, dhe besoj se e arritëm me sukses këtë gjatë dy ditëve të fundit”.

Djali 19-vjeçar i Trump, Barron Trump, është propozuar nga ish-producenti i mediave sociale i presidentit, Jack Advent, si një anëtar i mundshëm i bordit.

Trump ka treguar se investitorët e rinj amerikanë përfshijnë pronarët konservatorë të mediave Rupert Murdoch dhe Larry Ellison.