Liria njeh fytyrat tona

Shkruan: Gëzim Saraçi

Në një video që u përhap në rrjetet sociale, gjatë një proteste me moton “Kundër padrejtësisë”, një burrë rrëfeu një të vërtetë të thjeshtë, por me peshë:

“Isha 43 vjeç në luftë, në moshën ma të mirë. Ne ishim katër vëllezër, por u tutëm dhe ikëm; dy në Amerikë e dy në Evropë. Kemi pasur pare me i ble katër – pesë kallasha, por jena tutë… veç na kurrë nuk e shajmë UÇK-në.” – tha ai ndër të tjera.

Rrëfimi i tij është një pasqyrë ku shumëkush do të duhej të shihte veten. Sepse, ndryshe nga ky burrë që pati vullnetin të pranojë frikën për të luftuar për liri, ka shumë të tjerë që u frikësuan, ndërsa sot shpërfaqin heroizmin e tyre të vonuar.

Shumica prej këtyre ishin mbi 18 vjeç në kohën e luftës, pra kishin detyrim moral e kombëtar ta mbronin Kosovën, por ikën dhe ia lanë atë Serbisë.

Pyetja më e thjeshtë dhe më e drejtë që mund t’u bëhet sot secilit prej tyre është:

“Ku ishe gjatë luftës, çfarë arme pate në luftën çlirimtare dhe në cilën betejë për çlirim more pjesë?”

Sigurisht, ata përpiqen të japin justifikime, dhe më i zakonshmi është: “Nuk kishte armë.”

E vërteta është se armë kishte për këdo që kishte vendosur të luftonte për lirinë. Dihej ku duhej shkuar për t’i marrë dhe çfarë peripecishë duhej kaluar. Ajo rrugë kishte çmim: jetën.

Pa modesti; për mua pati armë, për vëllain tim pati armë, për babain tim pati armë. Për njëmbëdhjetë anëtarët e familjes sime të gjerë pati armë. Për bashkëluftëtarët e mi pati armë. Liria njeh fytyrat tona.

Veç për heronjtë e vonuar s’ka pasur armë. Andaj, liria nuk i njeh fytyrat e tyre.

Në shkurt dhe mars të vitit 1998 shpërtheu lufta në Drenicë, ndërsa në mars 1999 ndërhyri NATO, fillimisht përmes bombardimeve mbi caqet serbe.

NATO ndërhyri pas Rambujesë, ndërsa procesit të Rambujesë i priu përfaqësuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi. Lufta jonë filloi një vit para bombardimeve, dhe pa të nuk do të kishte as ndërhyrje, as Rambuje, as liri.

Rrugëtimi i UÇK-së nuk përfundoi me çlirimin e vendit. Shumë prej liderëve të saj, të njëjtët që udhëhoqën luftën çlirimtare, morën pjesë edhe në shtetndërtim. Serbia nuk e ndali kurrë luftën kundër tyre dhe sot ajo kërkon ta japë goditjen e radhës përmes Gjykatës Speciale, e cila gjykatë u ngrit mbi pretendimin tronditës për trafikim organesh, një akuzë që kurrë nuk u provua dhe kurrë nuk u gjykua. Dhe, padyshim, me rënien e asaj akuze të shëmtuar do të duhej të binte edhe kjo gjykatë.

Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij nuk u strukën para kësaj sfide. Ata nuk iu frikësuan drejtësisë. Por, sot, në emër të drejtësisë, synohet që ata të dënohen me dëshmi të servuara nga Prokuroria e Serbisë.

Dhe po, me ato dëshmi secili prej nesh, që ia kthyem grykën e pushkës Serbisë, do të shpallemi kriminelë.
Serbia dhe argatët e Serbisë, fillimisht do të synojnë ta kriminalizojnë kreun e UÇK-së, e më pastaj do të provojnë ta kriminalizojnë secilin luftëtarë të lirisë dhe kështu gjithë UÇK-në.