Marrëveshja e koalicionit në Prishtinë, PDK-ja merr gjashtë drejtori e disa ndërmarrje publike

Kryetari Përparim Rama ka arritur marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës për të qeverisur në kryeqytet.

Koalicioni u zyrtarizua dje nga Uran Ismaili, ndërsa Rama emëroi sot për nënkryetare anëtaren e PDK-së, Besianë Musmurati.

Përpos pozitës së dytë udhëheqëse në komunë, PDK-ja do të ketë drejtimin edhe të gjashtë drejtorive në kryeqytet, raporton Express, transmeton Paparaci.

Leutrim Retkoceri do ta udhëheqë Drejtorinë për Shërbime Publike. Arianit Elshani do të jetë drejtori i ri i Drejtorisë për Arsim. Drejtorinë për Transformim do ta udhëheqë Nora Gagica. Drejtoria për Sport i është besuar Granit Gecit. Isah Mustafa do ta udhëheqë Drejtorinë për Kulturë. Drejtoria për Parqe do të udhëhiqet nga Albana Gjonbalaj.

Përpos drejtorive,  PDK-ja është marrë vesh me Përparim Ramën edhe për ndarjen e ndërmarrjeve.

KRU Pastrimin, Ndërmarrjen Publike Banesore dhe Trafikun Urban do t’i udhëheqë PDK-ja. Ndërmarrja e katërt që do t’i takojë PDK-së do të përcaktohet ndërmjet Prishtina Parking ose Pallatin e Rinisë.

Përkundër se koalicioni u zyrtarizua, Lidhja Demokratike e Kosovës të martën përmes një reagimi tha se “nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje”, duke u distancuar nga koalicioni.

“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse”, u tha ndër tjerash në një komunikatë të lëshuar nga kjo parti sot paradite.