Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputeti Uran Ismaili ka deklaruar se Kosova po kalon nëpër një situatë të rëndë institucionale, pasi Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar edhe një javë pas përfundimit të afatit kushtetues.
Në konferencë për media, Ismaili tha se Albin Kurti, përmes kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, po e mban të bllokuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe po ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit.
Ai bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së i ka dërguar sërish kërkesë Avni Deharit që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër, më 16 gusht, nga ora 11:00.
“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasin seancën. Ta propozojnë Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës”, tha ai.
Ismaili theksoi se Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht peng i kalkulimeve politike të Albin Kurtit.
“Nuk do ta pranojmë. Nuk do ta normalizojmë. Dhe nuk do ta lejojmë. Prandaj, z. Kurti: eja në Kuvend. Thirre seancën. Mos ik dhe mos u fshih pas Avni Deharit. Konstituoje Kuvendin. Respektoje Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Ismaili.
Nënkryetari i PDK-së tha se kërkesa e kësaj partie është që Kosova të funksionojë si shtet ligjor dhe jo si shtet që i nënshtrohet vullnetit të pushtetit.
Në fund, Ismaili tha se veprimet e PDK-së nuk lidhen me interesa partiake apo kërkesa për pushtet, por me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të interesit të qytetarëve. /









