Pas shtatë muajsh bllokadash dhe organizimesh simbolike, studentët serbë i dhanë fund ultimatumit të tyre për përmbushjen e kërkesave të tyre drejtuar qeverisë me një protestë të paralajmëruar në sheshin Slavia në Beograd, nën moton “Shihemi në Vidovdan”.
Kërkesa e tyre e qartë është organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe mbyllja e zonës së kontestuar “Caciland” në qendër të Beogradit.
Protesta nisi në orën 18:00, ndërsa deri në orën 21:00, kur skadoi zyrtarisht ultimatumi i tyre, situata në kryeqytet ndryshoi dinamikë.
Në një postim simbolik në rrjetet sociale, studentët njoftuan: “Ultimatumi ka skaduar”. Ky mesazh shkruhej në një ‘story’ në rrjetet sociale të shoqëruar me një fotografi të një semafori me dritë të gjelbër, një mesazh i qartë për të ecur përpara me veprimet e tyre.
Situata nisi të tensionohej në zonat përreth “Caciland”, ku forcat policore ishin vendosur me pajisje për shpërndarjen e protestuesve, përfshirë gaz lotsjellës. Kordonë policorë u vendosën në rrugët ‘Knez Milosh’, ‘Takovska’ dhe në afërsi të rrugës ‘Kral Milan’, si dhe te kalimi pranë kinemasë “Takwood”.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në Parkun e Pionierëve dhe iu drejtua mbështetësve të tij që kishin organizuar një “mbrëmje letrare” në kryqëzimin midis Bulevardit ‘Kral Aleksandar’ dhe ‘Knez Milosh’. Ai deklaroi se nuk është në dorën e tyre apo të partive politike nëse do të ketë dhunë gjatë mbrëmjes.
Nga skena e protestës në Slavia, një studente nga Beogradi u bë zëri i protestuesve, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme të drejta parlamentare. Ajo deklaroi se kjo është rruga për të dalë nga kriza sociale që, sipas saj, është krijuar nga pushteti aktual. Ajo përfundoi fjalën me fjalët: “Sot, më 28 qershor 2025, ne e shpallim qeverinë aktuale të paligjshme”./rtk
The post Studentët e shpallin jolegjitim pushtetin e Vuçiqit, kërkojnë zgjedhje appeared first on Kosovapost.net.