Zyrtari i NATO’s takon ndaras Bislimin e Petkoviqin në Bruksel, jep porosi rreth Urës së Ibrit

Zyrtari i NATO’s Thomas Goffus ka pasur takime të ndara bashkë në prani të një zyrtari të BE’së me Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. NATO ka theksuar se takimet janë zhvilluar në margjina të dialogut dhe se është adresuar çështja e Urës së Ibrit.

Në komunikatën e dërguar në KFOR thuhet se Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke shtuar se vendimet duhet të merren përmes dialogut.

“Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Operacione diskutoi situatën e sigurisë në Kosovë dhe adresoi shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme për trafikun rrugor të urës së lumit Ibër në Mitrovicë. Z. Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se “vendimet duhet të merren përmes dialogut, në koordinim në kohë dhe efektiv me Komunitetin Ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s”. Ai shtoi se “misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i tij për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të siguruar një mjedis të sigurt”. KFOR-i mban prezencën e tij fikse në urë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në njoftim.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq ishin në Bruksel për rundin e radhës të dialogut Kosovë – Serbi. Ndonëse s’u takuan me njëri-tjetrin, çështjen e urës së Ibrit ata e kanë diskutuar në takimet e tyre të ndara me ndërmjetësin europian, Miroslav Lajçak.

Zyra e Kryeministrit tha në një komunikatë se “sa i përket urës mbi lumin Ibër, edhe për BE-në është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.