Osmani: Nëse dikush bën dialog me Serbinë për Urën e Ibrit, është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se në dialogun në Bruksel, Kosova ka treguar përkushtim për zbatimin e Marrëveshjeve, por që siç tha ajo problemi është që dialogu që një kohë s’po dëshmon barazi të palëve.

Sipas Osmanit, s’është parë që palët të trajtohen të barabarta.

“Dialogu në Bruksel Kosova ka treguar përkushtim për zbatim të marrëveshjeve të Brukselit, por edhe përkushtim për paqe. Problemi eshte që ky dialog qe një kohë të gjatë që nuk po dëshmon se po organizohet në përputhje me parimin e barazisë së palëve. Pra, në asnjë moment nuk shihet që të dy palët po trajtohen të barabarta”, tha presidentja Osmani.

Sipas Osmanit, kushdo që bën dialog për Urën e Ibrit me Serbinë, atëherë një gjë e tillë është shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe se kjo temë duhet të dialogohet me partnerët e sigurisë.

“Në qoftëse dikush bën dialog për Urën e Ibrit me Serbinë, kjo është shkelje e sovranitetit, Kushtetutës dhe në asnjë moment nuk është në interes të Kosovës që kjo temë të jetë pjesë e dialogut me Serbinë. Kjo temë patjetër që duhet të diskutohet me partnerët tanë të sigurisë sepse edhe vetë marrëveshjet e Brukselit e kërkojnë një gjë të tillë”.

“Është interes i Kosovës që ne të punojmë me partnerët tanë të sigurisë, i cili pastaj do të zbatohet dhe kur të hapet ura do të jetë vendim i qëndrueshëm që nuk do të mund të sfidohet, dhe as nuk do të duhej të sfidohej nga askush”, tha Osmani para gazetarëve me rastin e lansimit të Qendrës së Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.