Ka kaluar mbi një muaj qe nga koha kur Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka bërë të ditur kanë përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj.
Poashtu është theksuar se institucionet përkatëse të vendit ndodhen në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse për emrat e ambasadorëve të rinj që do të përfaqësojnë diplomacinë kosovare në vendet e huaja.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka përfunduar të gjitha procedurat për emërimin e ambasadorëve të rinj. Aktualisht ndodhemi në fazën e pritjes së pëlqimeve nga shtetet pritëse”, u tha në përgjigjen e MPJD-së për lajmi.net.
Por pavarësisht këtij deklarimi, procedura e emërimit të ambasadorëve të Kosovës në vendet e huaja dhe zyrtarizimi i tyre nuk ka përfunduar ende. Por, ata nuk janë përgjigjur në pyetjet rreth procesit të emërimit të ambasadorëve dhe mendimeve të shteteve përkatëse për emrat e dërguar nga institucionet e Kosovës.
Kjo sepse nga MPJD pati një heshtje të vazhdueshme, e asnjëherë zyrtarizim të emrave tashmë të emëruar.
Lidhur me këtë çështje, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë për lajmi.net se ka mungesë totale të transparencës.
Ajo shton se nuk kanë informacione se çfarë do të ndodhë me ambasadorët e karrierës, por se nuk ka informacione se deri ku ka shkuar procesi.
“Në fakt, ka mungesë totale të transparencës. Ne i dimë vetëm tre ambasadorët politikë, por nuk kemi informatë çfarë po ndodhë me ambasadorët e karrierës, do të thotë, ata janë diku 11 që janë propozuar por ne nuk kemi informatë se ku jemi me procesin. Po besoj që ministrat do të vijnë këto ditë në Komisionin për Punë të Jashtme dhe aty do të raportojnë dhe do të kemi sqarime besoj”, tha Musliu-Shoshi për lajmi.net.
Edhe njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani për lajmi.net ka thënë se ekziston mungesë e transparencës në procesin e emërimit të ambasadorëve nga institucionet e Kosovës.
Madje sipas tij, serioziteti në qasjen e emërimit të ambasadorëve mungon dhe se emërimi bëhet pa kritere.
“Transparenca mungon, serioziteti në qasje në emërim të ambasadorëve mungon, emërimi bëhet pa kritere, pra ambasadorë mund të bëhen njerëz që kanë punuar edhe në zdrukthtari, kur emërimi bëhet ai vullnet i njëanshëm, pa mbulesë dhe kritere ligjore, kjo e qon në dëm shtetin dhe paratë e taksapaguesve, kjo qasje shumë e keqe pa verifikim profesional dhe pa verifikim të eksperiencës edhe pse këtë thuhet që e bën Komisioni për Politikë të Jashtme, realisht ata qiten para aktit të kryer, ua dërgojnë emrat, ata i intervistojnë, pa konkurs të hapur, kjo është manipulim për qëllime partiake dhe familjare, shoqërore”, tha ai.
Burjani potencoi gjithashtu se transparencë në një proces të vullnetit të njëanshëm që në gjuhën popullore e quajnë “unë po due me u emërua, nuk më intereson çka thonë qytetarët, mediat, ekspertët”.
Sipas tij, kështu veprojnë këta njerëz që janë ministra, pra bëjnë gënjeshtra e thurin fjalë të mëdha për njerëz që i kanë emrat.
“Realisht nuk janë për atë punë fare. Procesi është i paligjshëm, prandaj s’ka transparencë. Në botën bashkëkohore të gjithë ambasadorët zgjedhen me një procedurë ligjore verifikuese dhe me eksperiencë të gjatë politike, diplomatike dhe profesionale. Pra, këta e fshehin procesin e emërimeve të njerëzve të afërm me ata duke thënë se nuk duhet dhënë informata paraprake gjë që është gënjeshtër e kulluar. Ka shumë gjëra manipuluese. MPJ nuk ka qasje reformuese, pra mendimin tim pa zbatuar nenin 20 të ligjit për shërbim të jashtëm ku thuhet duhet të ketë konkurs për zgjedhjen e ambasadorëve”, shtoi ai.
Ndryshe është bërë gati gjysmë viti që nga koha kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani që të lirojë nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët ishin emëruar politikisht.
Në mungesë të tyre, pra të ambasadorëve nëpër ambasadat e Kosovës, sipas Ligjit ata u zëvendësuan nga diplomat tjetër me rangun më të lartë me shërbim në atë mision diplomatik, i cili merr detyrën e të ngarkuarit të përkohshëm me punë (Chargé d’Affaires ad interim).
Megjithatë, të ngarkuarit me punë, pavarësisht nëse mbajnë gradën e ambasadorit, nuk janë të akredituar tek Kreu i Shtetit, prandaj edhe tërheqja e ambasadorit konsiderohet ulje e përfaqësimit në nivel të ngarkuarit me punë.
12 ambasadorët të cilat janë shkarkuar me këtë rast nga Ministria e Punëve të Jashtme janë: Nait Hasani — Shqipëri, Gjergj Dedaj — Maqedoni e Veriut, Ylber Hysa — Mal i Zi, Shpend Kallaba — Hungari, Arbër Vllahiu — Çeki, Gëzim Kasapolli — Koraci, Avni Kastrati — Slloveni, Beqë Cufaj — Gjermani, Lirim Grajqevci — Holandë, Hajdin Abazi — Australi, Amir Ahmeti — Katar dhe Avni Arifi — Emiratet e Bashkuara Arabe.