Zbulohet se kur do të jetë gati ‘Arena Kombëtare’

Stadiumi ende në ndërtim, “Arena Kombëtare”, nuk e arriti as afatin e shtatorit, të caktuar si një mundësi për ta inauguruar në ndeshjen ndaj Islandës.

Ndërkohë, anëtari i Komitetit Ekzekutiv, dhe njëherazi Shefi i Sektorit të Infrastrukturës në FSHF, Arben Dervishaj, tregon se kur do të jetë gati ky impiant për të pritur ndeshje, shkruan “Panorama Sport”.

“Ne patëm premtuar dhe kishim dëshirë që ekipi jonë të bënte ndeshjen me Islandën në ‘Arenën Kombëtare’ dhe të na gëzonte me një fitore, por kjo nuk u arrit dot për shumë e shumë arsye objektive dhe subjektive. Gjithsesi besojmë që për ndeshjen me Francën ne do të bëjmë ceremoninë e inaugurimit. Stadiumi, me tribunat, ambientet e lojës, do të ketë përfunduar plotësisht, ndërsa për pjesën tregtare nuk na takon ne të merremi”, deklaroi Dervishaj.

Më tej, Dervishaj sqaroi edhe arsyen përse federate vendosi që të nxjerrë në shitje emrin e stadiumit, që në momentin e inaugurimit nuk do të jetë më ‘Arena Kombëtare’.

“Fedarata ka të drejtën, ose shoqëria ‘Kuqezi’, e cila është diçka e përbashkët mes federatës dhe shtetit, të mendojë për të krijuar të ardhura. Për të mirëmbajtur këtë stadium duhet krijuar të ardhura dhe shitja e emrit është një mënyrë, ashtu siç bëhet në shumë stadiume në botë. Janë ftuar kompani të mëdha në fushën bankare, në fushën e sigurimit, në fushën e naftës, të cilat mund të ketë interes për të vendosur ermin e tyre. Kjo është një praktikë që nuk e kemi shpikur ne pasi ndodh në të gjithë botën”, sqaroi Dervishaj.