Ymeri e quan “kërkesë elektorale” thirrjen e Kurtit për pagën e 13-të në sektorin privat

Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari” e ka cilësuar si kërkesë elektorale thirrjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti që edhe sektori privat ta paguajë rrogën e 13-të, duke vlerësuar se një qasje e tillë po bëhet pa analizë dhe pa mekanizma institucionalë të nevojshëm.

Teksa uroi 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, Kurti në një status në Facebook bëri thirrje që edhe sektori privat, ashtu si ai publik, ta paguajë rrogën e 13-të.

E Ymeri u shpreh se në këtë reagim Kurti nuk ka reflektuar rolin institucional që mban. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si kryeministri në detyrë është përballur me sindikatat ndër vite, duke thënë se në shumicën e rasteve ai ka folur më shumë si punëdhënës sesa si kryeministër.

“Sa herë që ka pas konfront Kurti me sindikatat, me atë të arsimit, të policisë – në secilin rast Kurti si kryeministër më shumë ka fol si punëdhënës. Edhe në postimin e sotëm, nuk flitke si kryeministër, por fliste si punëdhënës”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Ymeri ngriti pyetjen nëse shteti ka kapacitet të krijojë mekanizma që do ta detyronin ose mundësonin sektorin privat të paguajë pagën e 13-të apo edhe paga shtesë të tjera. Sipas tij, një gjë e tillë kërkon analizë të thellë dhe krijimin e një aranzhimi institucional që do të siguronte dialog social mes palëve.

Ai shtoi se në vendet e zhvilluara, paga e 13-të dhe bonuset e tjera janë rezultat i dialogut social ndërmjet punëdhënësve dhe punëtorëve, e jo i thirrjeve të njëanshme.

“Në këtë formë, kërkesa e kryeministrit drejtuar sektorit privat që të paguajë pagën e 13-të, pa analiza dhe pa ndërtuar institucione që mundësojnë dialogun social, është më shumë kërkesë elektorale sesa një nismë që synon të ketë efekt pozitiv për qytetarët”, ka deklaruar Ymeri.

Sipas Ymerit, në Kosovë, për shkak të zhvillimeve politike, po lihet anash diskutimi për aspektin shoqëror, që sipas tij është thelbësor për funksionimin e demokracisë. Ai theksoi se organizimi sindikal duhet të jetë në qendër të debatit publik.