Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm ka njoftuar se ka nisur veprimet për një rast të kërcënimit të një zyrtari policor që ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës.
Sipas njoftimit, veprimet kanë nisur lidhur me postimet e publikuara në rrjetet sociale, përmes të cilave dyshohet se është kërcënuar një zyrtar policor.
“Prokurori kujdestar ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP), që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të kësaj çështjeje. Në kuadër të veprimeve hetimore, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për sigurimin dhe administrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave relevante lidhur me këtë rast.”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sipas njoftimit, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit si dhe sigurimin e provave të nevojshme, në përputhje me kompetencat dhe dispozitat ligjore në fuqi. /








