Këshilltari i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për çështje shpirtërore, pastori Dr. Mark Burns gjatë vizitës në Beograd e takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Një nga temat e bisedës ishte edhe situata në Kosovë, me theks të veçantë te pozita e pakicës serbe në Kosovë, mbrojtja e objekteve fetare dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore, transmeton Paparaci.
Vuçiqi, pas takimit, ka shkruar në llogarinë e tij në Instagram se me Burnsin bisedoi për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për rëndësinë e dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Sipas pretendimeve të tij, gjatë bisedës u shkëmbyen mendime edhe për situatën në Kosovë, me theks të veçantë te „pozita e popullit serb“.
„Shkëmbyem mendime për situatën në Kosovë dhe Metohi, me theks të veçantë te pozita e popullit serb, mbrojtja e faltoreve tona dhe ruajtja e trashëgimisë së pasur shpirtërore dhe kulturore. Theksova se është me rëndësi kyçe të respektohen liritë fetare dhe të drejtat e të gjithë njerëzve, si dhe të sigurohen paqja dhe siguria për popullin tonë“, ka shkruar Vuçiqi./Paparaci.com








