Von der Leyen në Samitin BE-Ballkani Perëndimor: Procesi i zgjerimit të bllokut duhet më i shpejtë

Presidentja e Komisionit Evropian bëri thirrje të premten për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të bllokut dhe theksoi progresin sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor gjatë një samiti me udhëheqësit rajonalë në Mal të Zi.

Duke folur në pragun e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, Ursula von der Leyen tha se zgjerimi mbetet i bazuar në meritë, por duhet të bëhet më i shpejtë dhe më i besueshëm.

“Zgjerimi bazohet në meritë, por i bazuar në meritë nuk do të thotë i ngadaltë”, tha von der Leyen.

“Ne duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm. Me fjalë të tjera, nëse vendi kandidat përmbush reformat, ai duhet të ecë përpara në mbylljen dhe hapjen e kapitujve dhe grupeve në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian”, shtoi ajo.

Von der Leyen tha se samiti do të përqendrohet në dy çështje kryesore: zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe procesin e zgjerimit.

Ajo e përshkroi Planin e Rritjes si të suksesshëm, duke vënë në dukje se BE-ja ka investuar tashmë 675 milionë euro (rreth 785 milionë dollarë) në kuadër të iniciativës, ndërsa një transh i mëtejshëm prej 540 milionë eurosh është në rrugë e sipër.

Sipas von der Leyen, plani bazohet në hapjen e sektorëve të tregut të vetëm të BE-së për vendet kandidate në këmbim të reformave, të shoqëruara me mbështetje për investime.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje si vendeve kandidate ashtu edhe vendeve anëtare të BE-së që të komunikojnë përfitimet e zgjerimit në mënyrë më efektive.

“Zgjerimi do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe një vend më të madh për Evropën në botë”, tha ajo.