Policia e Ferizajt ka njoftuar se po kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar.
Sipas njoftimit në Facebook, rasti ka të bëjë me veprën penale “Vjedhje”, e cila dyshohet se ka ndodhur me datë 17 prill të këtij viti, në rrugën “Vëllezrit Gërvalla”, në një qendër tregtare në Ferizaj.
Policia thotë se me autorizim të Prokurorit të Shtetit ka publikuar fotografinë e të dyshuarit.
“Lusim të gjithë qytetarët që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të ndihmojë në identifikimin apo lokalizimin e këtij personi, ta njoftojnë Policinë e Kosovës përmes:
Numrit emergjent 192. Stacionit më të afërt policor. Apo faplikacionin digjital ”Lajmero policinë”. Të gjitha informacionet do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. Bashkëpunimi juaj është shumë i rëndësishëm për zbardhjen e rastit dhe garantimin e sigurisë publike”, thotë PK.









