Vjosa Osmani: Kur Hasi jehon, Jehon Shqiptaria

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në festivalin folklorik “Hasi Jehon 2026” në Gjonaj, duke e cilësuar këtë ngjarje si një manifestim të veçantë të shpirtit, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Përmes një postimi publik, Osmani u shpreh se ishte kënaqësi dhe nder i veçantë të ishte pjesë e këtij festivali, i cili sipas saj mishëron kulturën dhe rrënjët kombëtare. Ajo theksoi se në mesin e artistëve të talentuar dhe qytetarëve që ruajnë me krenari traditat, ndjeu nga afër forcën e kulturës shqiptare si një pasuri që bashkon kombin dhe e udhëheq drejt së ardhmes.

Në fotografitë e publikuara, presidentja shihet mes qindra qytetarëve, artistëve me veshje tradicionale dhe pjesëmarrësve të festivalit, duke ndarë momente të afërta me të pranishmit dhe duke vlerësuar atmosferën festive në Gjonaj.

Festivali “Hasi Jehon” konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, që promovon trashëgiminë folklorike, muzikën dhe traditat shqiptare, duke mbledhur çdo vit artistë dhe vizitorë nga trevat shqiptare.