Vizita e Costës në Kosovë, AGK i kërkon diskutim për lirinë e medias në takimin me Kurtin

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që përfaqëson mbi 700 gazetarë në vend, i është drejtuar publikisht Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, me rastin e vizitës së tij në Kosovë, duke kërkuar që në takimet me institucionet vendore të trajtohet çështja e lirisë së medias.

Në kërkesën e saj publike, AGK kërkon që Costa, në takimin me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, të ngrisë çështjen e respektimit të lirisë së medias dhe të shprehjes nga ana e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës.

Në deklaratën e AGK-së thuhet se “Kosova ka shënuar një rënie dramatike të lirisë së medias në vitet e fundit, e dokumentuar nga raporte ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vizitën në mars të Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës”.

Më tej, në reagim theksohet se “Qeveria e zotit Kurti dhe partia e tij politike, Vetëvendosje, janë angazhuar në fushata të vazhdueshme denigrimi kundër gazetarëve dhe punonjësve të mediave për shkak të punës së tyre”.

AGK gjithashtu shpreh shqetësim për institucionet e pavarura të medias, duke theksuar se “institucione që do të duhej të ishin të pavarura, si Komisioni i Pavarur i Mediave dhe Radio Televizioni i Kosovës, janë vënë nën ndikim të drejtpërdrejtë politik nga Qeveria, nëpërmjet emërimit të bordeve në procese të komprometuara”.

“Gazetarët dhe mediat në Kosovë vazhdojnë të bëjnë një punë jetike në ofrimin e informacionit në interes të publikut, duke luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e një vlere themelore të demokracisë evropiane”, thuhet në deklaratë.