Për manipulimet në numërimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, deri tash është ngritur vetëm një aktakuzë ndaj 4 personave.
Nga të dhënat e publikuara nga 7 prokuroritë themelore, rezulton se janë intervistuar së paku 700 persona lidhur me dyshime për manipulim të votave të kandidatëve gjatë numërimit.
Në këtë shifër nuk përfshihen njoftimet për hetime e intervistime ku nuk është përmendur numri i të dyshuarve.
Të gjithë këta, ka mundësi që sërish të angazhohen në numërimin e votave, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ende nuk ka marrë vendim lidhur me ndalimin e personave që janë nën hetime që të angazhohen si komisionerë.
Aktakuzën e vetme për vjedhje të votave të kandidatëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit, e ka ngritur Prokuroria e Ferizajt, në muajin mars.
Megjithatë nuk ka ndarë informacione se a ka persona të tjerë që janë nën dyshime.
“Në muajin mars 2026, kjo Prokurori, ka ngritur aktakuzë kundër katër (4) personave të pandehur, për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, mbetet e angazhuar për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, dhe do të hetojë çdo rast të dyshuar, me qëllim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, në mars 2026.
Sipas një raporti të Demokracisë në Veprim, gjatë procesit të numërimit janë manipuluar afro 250 mijë vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Manipulimi i votave është vërtetuar nga vetë KQZ-ja, pas rinumërimit të plotë të atyre për kandidatë.
Dallaveret më të mëdha dyshohet se kanë ndodhur në Prizren, ku janë tjetërsuar afro 70 mijë vota.
Më 23 janar, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka intervistuar 109 persona nën dyshimet për dallavere në Qendrën Komunale të Numërimit.
Më vonë kjo Prokurori ka intervistuar edhe afro 100 komisionerë të tjerë të komunave Dragash, Suharekë dhe Mamushë.
Një pjesë e madhe e tyre edhe janë dërguar në paraburgim, por janë liruar më pas.
Por ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë për këto dyshime për manipulime, e në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, nuk kanë treguar se sa persona janë të dyshuar dhe as nëse pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë.
“Hetimet lidhur me këtë rast janë ende në zhvillim e sipër dhe çdo informatë shtesë në këtë fazë mund të cenojë integritetin e procedurës hetimore. Prokuroria Themelore në Prizren, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, nuk mund të ofrojë informacione apo të komentojë për çështje që janë aktualisht nën hetim. Ky kufizim ka për qëllim garantimin e zhvillimit të paanshëm dhe të rregullt të procedurës, si dhe shmangien e çdo ndikimi të mundshëm në mbarëvajtjen e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Nga Prokuroria në Mitrovicë kanë thënë se rastet janë në fazë të hetimeve por nuk kanë ndarë më shumë informata se a do të ketë aktakuza dhe nëse po, kur.
Në fillim të shkurtit kjo Prokurori ftoi për intervistim 43 persona, e ndaj 10 prej tyre pati kërkuar paraburgim.
Edhe në Prokurorinë e Gjakovës kanë thënë se rastet janë nën hetime, por nuk kanë ndarë më shumë informata.
Në komunat që janë nën juridiksionin e kësaj prokurorie, nga të dhënat publike, del se janë intervistuar afro 100 persona, kryesisht komisionerë të Malishevës dhe Gjakovës.
Në Prokurorinë e Pejës, po ashtu kanë thënë se rastet po hetohen. Nga të dhënat publike del se kjo prokurori i ka hetuar si të dyshuar për vjedhje të votave afro 200 persona.
“Lidhur me pyetjet e parashtruara ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka pranuar dhjetëra kallëzime penale ndaj komisioneve dhe kryesuesve të zgjedhjeve për procesin e numrit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Aktualisht jemi në fazën e procesit hetimor ndaj qindra personave të dyshuar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe ajo e Gjilanit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me këtë çështje.
Anëtarë të KQZ-së kanë thënë se synojnë që për certifikimin e komisionerëve të vendosin edhe kriterin që të mos jenë duke u hetuar për shkelje zgjedhore. Por në mbledhjen e mbajtur javën e shkuar nuk është marrë një vendim i tillë.
Zgjedhjet e radhës do të mbahen më 7 qershor.









