Veseli paralajmëron reciprocitet të plotë ndaj Serbisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet, ndërsa ka paralajmëruar masa reciprociteti në çdo fushë në rast të vazhdimit të agresionit të Serbisë.
“Taksa 100 përqind ndaj Serbisë nuk do të hiqet. Madje nëse Serbia do të vazhdoj me sjelljet agresive ne do ti shtojmë masat dhe do të kalojmë në reciprocitet të plotë me shtetin serb në çdo fushë. Taksa është vendosur në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Partnerët tanë strategjik dhe të përhershëm, SHBA-të, nuk kanë kërkuar heqjen e taksës sepse ata nuk duan ta dëmtojnë dinjitetin e shteyit të Kosovës. Aleatët tanë kërkojnë që ne të dialogojmë për ta arritur marrëveshjen finale që është njohja e Kosovës nga Serbia dhe ulësja në OKB”, ka thënë Veseli në televizionin A2 CNN Albania.
Kryeparlamentari kosovar ka folur për veprimet agresive të shtetit serb që kanë çuar në vendimin e Kosovës për vendosjen e taksës 100 përqind.
“Ne do t’ia bëjmë me dije çdo ditë Serbisë që pa e respektuar shtetin e Kosovës nuk mund të pres heqje të taksës. Ne do të vazhdojmë me reciprocitet të plotë. Ata i bllokojnë mallrat e Kosovës ne i bllokojmë mallrat e Serbisë. Ata nuk na i njohin targat e automjeteve, ne po ashtu nuk do të njohim targat serbe. Ata nuk i njohin vulat e shtetit të Kosovës, ne nuk i njohim tani vulat e Serbisë. Pra do të shkojmë në reciprocitet të plotë dhe taksa 100 përqind do të mbetet varësisht si sjellet Serbia”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së i ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë asnjë veprim që mund të dëmtoj raportet Kosovë-SHBA.
“Unë i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës se nuk do të ketë asnjë veprim dhe asnjë lëvizje të shtetit të Kosovës që mund të dëmtoj raportet tona speciale me SHBA-të. Ne jemi në partneritet dhe koordinim të përhershëm. Krejt jeta ime politike është e ndërtuar në partneritet të ngushtë me SHBA-të, prandaj ne jemi vazhdimisht në koordinim me partnerët tanë strategjik”, tha Veseli.