Këngëtarja shqiptaro-britanike Rita Ora ka folur hapur për prejardhjen e saj nga Kosova dhe historinë e familjes së saj, duke u shprehur se ndihet krenare për rrugëtimin e emigrimit dhe suksesin e arritur në Britaninë e Madhe.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Times”, artistja kujtoi vështirësitë me të cilat u përballën prindërit e saj pasi u larguan nga Kosova në fillim të viteve ’90, në një periudhë të vështirë për shqiptarët e Kosovës.
Pamela Anderson zbulon se nuk është ftuar në rikthimin e “Baywatch”: Askush nuk më ka kontaktuar
E lindur në Prishtinë, Rita u shpërngul me familjen në Britani, ku prindërit e saj, Vera dhe Besnik Ora, nisën një jetë të re. Nëna e saj ishte mjeke, ndërsa babai ekonomist, por emigrimi solli sfida të mëdha për familjen.
“Gjithçka që di është se do të jem gjithmonë mirënjohëse për arsimimin që kam marrë dhe krenare që jam emigrante”, u shpreh Rita.
Ajo theksoi se shumë emigrantë kanë një forcë të veçantë për të provuar veten dhe për të arritur më shumë, duke e lidhur këtë edhe me historinë personale të familjes së saj.
“Mendoj se shumë emigrantë kanë një energji të veçantë. Ndoshta kanë një ndjenjë se duhet të dëshmojnë veten, që i shtyn të përmirësohen vazhdimisht”, tha këngëtarja.
Rita Ora, e cila po punon aktualisht për albumin e saj të katërt dhe është rikthyer në rolin e Mbretëreshës së Zemrave në filmin “Descendants”, ka folur shpesh me krenari për origjinën shqiptare dhe ndikimin që historia e familjes ka pasur në karrierën e saj.
Gjatë intervistës, artistja ndau edhe detaje personale për jetën e saj, përfshirë vendimin për të ruajtur vezët në moshë të re dhe kujdesin ndaj shëndetit, veçanërisht pas historisë së nënës së saj me kancerin e gjirit.
Rita Ora mbetet një nga artistet shqiptare më të suksesshme në skenën ndërkombëtare, duke e përmendur vazhdimisht prejardhjen e saj si një pjesë të rëndësishme të identitetit të saj.








