“Vdiq” në parking, u rikthye në jetë dhe zbuloi se kishte marrë gjobë

Një grua 54-vjeçare në Auckland të Zelandës së Re ka përjetuar një situatë të pazakontë. Pasi u rrëzua në parkingun e një supermarketi dhe nuk kishte puls, ajo u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së një personi që i dha ndihmën e parë.

Por pas trajtimit nga ekipet mjekësore, ajo u përball me një tjetër “surprizë” – një gjobë parkimi prej 80 dollarësh.

Automjeti i saj kishte qëndruar 341 minuta në parking, ndërsa koha e lejuar ishte vetëm 90 minuta. Familja kontaktoi kompaninë që menaxhon parkingun, duke shpjeguar se gruaja kishte qenë në gjendje kritike dhe po trajtohej nga paramedikët.

Kompania fillimisht refuzoi ta anulonte gjobën, duke thënë se rregullat ishin zbatuar siç duhet. Megjithatë, për shkak të rrethanave, shuma u ul në 30 dollarë tarifë administrative.

Familja e cilësoi kërkesën për pagesë si “fyese”, ndërsa gruaja në fund e pagoi shumën, pasi situata po i shkaktonte stres.