Gazetarja Arbreshë Uka ka ngritur shqetësimin për paraqitjen e stafit shëndetësor gjatë punës, duke përmendur në veçanti përdorimin e thonjve të gjatë, aksesorëve dhe grimit edhe në hapësirat e sallave operative.
Duke folur në “Kosova Today” në Klan Kosova, Uka tha se kjo çështje është trajtuar prej vitesh dhe se, sipas saj, nevojitet një standard më i qartë për veshjen dhe paraqitjen e profesionistëve shëndetësorë.
“Këtë temë e kam trajtuar vite më parë, për thonjtë dhe për aksesorët. Unë shoh edhe në salla operative që hyjnë me grim. Kanë kaluar sa e sa drejtorë dhe borde. Kjo është gjë e vogël, por është një çështje që ka peshë në publik dhe mund të ndryshohet shumë lehtë”, tha Uka.
Ajo u bëri thirrje profesionistëve shëndetësorë që të kenë kujdes me paraqitjen e tyre gjatë punës, duke theksuar se kjo mund të ndikojë edhe në perceptimin e pacientëve.
“Ju mos lejoni me e denigruar profesionin tuaj. Thonjtë e gjatë dhe aksesorët janë pjesë e raporteve të infeksioneve”, u shpreh ajo.
Uka tha se profesionistët shëndetësorë duhet të kenë një standard të përshtatshëm të veshjes dhe paraqitjes, duke marrë parasysh natyrën e punës së tyre.
“Mendoj që kur je profesionist shëndetësor duhet të ketë një standard të veshjes, jo shumë të theksuar, sepse edhe puna është asisoj. Aty duhet të vraposh. Duhet secili prej nesh me e ditur misionin për punën tonë”, tha Arbreshë Uka. /









