UShAF kërkon ndërhyrjen e partnerëve ndërkombëtarë: Mos lejoni mbylljen e universitetit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u ka bërë thirrje ambasadave të vendeve partnere, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizatave ndërkombëtare që të reagojnë ndaj rrezikut të ndërprerjes së financimit për vitin 2027.

Sipas UShAF-it, në dokumentet e planifikimit buxhetor për vitet 2027-2029, të proceduara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, universitetit nuk i është paraparë asnjë financim për vitin 2027, transmeton Klankosova.tv.

Universiteti paralajmëron se, nëse ky planifikim mbetet në fuqi, nga 1 janari 2027 mund të pamundësohet funksionimi i tij, duke rrezikuar vendet e punës të stafit akademik e administrativ dhe vazhdimin e studimeve për mbi 2 mijë studentë.

Në letrën drejtuar partnerëve ndërkombëtarë, UShAF thekson se nuk kërkon privilegje apo trajtim të veçantë, por kërkon që një institucion publik me rezultate të dëshmuara të mos mbyllet përmes një vendimi buxhetor pa proces transparent dhe pa debat institucional.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, i themeluar si universitet publik në vitin 2015, thekson se gjatë viteve ka arritur akreditim institucional, akreditimin e programeve të studimit, bashkëpunim të avancuar me industrinë, projekte ndërkombëtare dhe partneritete me universitete evropiane, përfshirë rrjetet EURASHE dhe E³UDRES².

UShAF vlerëson se mbyllja e tij do të ishte humbje jo vetëm për studentët dhe komunitetin akademik të Ferizajt, por edhe për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe për modelin e universiteteve të orientuara drejt praktikës dhe inovacionit.

“Universiteti ynë nuk kërkon trajtim të privilegjuar, nuk kërkon favore, nuk kërkon mbështetje politike. Universiteti ynë kërkon vetëm që një institucion publik me rezultate të dëshmuara të mos shuhet përmes një vendimi buxhetor, pa një proces transparent, pa një argumentim profesional dhe pa një debat institucional”, thuhet në reagim.

“Universitetet nuk mbyllen. Universitetet mbrohen”, përfundon thirrja e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

USHA në Ferizaj: Universitetin e pret dryni, s’ka buxhet (VIDEO)