Eprori Ushtarak dhe Politologu, Shefki Abdullahu, ka komentuar për herë të parë zërat që e përmendin si kandidat të mundshëm për president të Kosovës.
Në një thirrje telefonike ekskluzive për Paparacin, i pyetur për këtë mundësi, Abdullahu tha se për herë të parë po dëgjon për një kandidaturë të tillë, duke shtuar se megjithatë është i gatshëm të marrë çdo përgjegjësi që i besohet.
“Unë po e dëgjoj këtë për herë të parë nga ju. Jam i gatshëm për çdo detyrë që ma besojnë. Tani, çështja e presidentit është më e ndërlikuar, por shpresoj që kësaj here ta kalojmë këtë krizë politike dhe të mos shkojmë përsëri në zgjedhje”, u shpreh ai.
Abdullahu theksoi se gjatë gjithë angazhimit të tij, që nga koha e luftës e deri pas saj, ka qenë gjithmonë për konsensus politik në interes të qytetarëve. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një figurë konsensuale që do të mund të unifikojë spektrin politik dhe të ndihmojë vendin të ecë përpara në proceset e rëndësishme.
“Besoj se, në bazë të rendit kushtetues, duhet të zgjidhet një figurë konsensuale që bën unifikimin e gjithë aspektit politik dhe të ecim përpara me proceset që kemi në aspektin gjeopolitik në Kosovë, rajon dhe botë. Nuk kemi shumë kohë për të humbur”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Kosova ka mjaft figura intelektuale që mund të japin kontribut në këtë drejtim, duke bërë thirrje që të tejkalohen ndasitë aktuale politike dhe të punohet për interesin e vendit.
Intervista e plotë:
Pyetje: Në Lëvizjen Vetëvendosje po përmenden disa emra për postin e presidentit konsensual dhe apartiak. Ju jeni një nga emrat që po lakohet në opinion, duke pasur parasysh se nuk jeni aktiv në asnjë parti politike dhe keni një përvojë të gjatë ushtarake.
A do të ishit i gatshëm ta merrnit këtë përgjegjësi nëse do të përzgjidheshit si kandidat për president të Republikës së Kosovës?
Shefki Abdullahu: “Unë po e dëgjoj këtë për herë të parë nga ju. Jam i gatshëm për çdo detyrë që ma besoni.
Sa i përket çështjes së presidentit, kjo është një çështje më e ndërlikuar, por shpresoj që kësaj radhe do ta kalojmë këtë krizë politike dhe nuk do të shkojmë sërish në zgjedhje.”
Pyetje: Kosova po përballet me një krizë politike dhe institucionale që ka zgjatur për më shumë se një vit e gjysmë, ndërsa dialogu ndërpartiak shpesh ka qenë i vështirë dhe i polarizuar.
Nëse do të kishit një rol unifikues në krye të shtetit, cila do të ishte qasja juaj për të lehtësuar dialogun ndërmjet partive politike dhe për të ndihmuar në tejkalimin e bllokadave institucionale?
Shefki Abdullahu: “Që nga aktivitetet e mia gjatë luftës dhe pas luftës, pa marrë parasysh çfarë përgjegjësie kam pasur, gjithmonë kam qenë për një konsensus të përbashkët në interes të qytetarëve dhe të vendit.
Besoj se edhe kësaj here, në bazë të frymës kushtetuese, duhet të zgjidhet një figurë konsensuale që mundëson unifikimin e spektrit politik dhe na ndihmon të ecim përpara me proceset që kemi përpara, si në aspektin gjeopolitik në Kosovë dhe rajon, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.
Nuk kemi shumë kohë për të humbur. Duhet të ecim përpara. Kosova ka edhe figura të tjera që mund ta japin këtë kontribut. Vendi ynë është i pasur me intelektualë; mjafton që t’i tejkalojmë ndasitë aktuale politike dhe të fokusohemi te e ardhmja.”








