Trumpi hodhi poshtë tërheqjen e trupave nga Evropa, por ja çka shkruan “Bildi” në shkrimin ku përmendet edhe Kosova

Bild sot ka raportuar se Italia është duke u përgatitur për tërheqjen e mundshme të trupave amerikane nga Kosova.

Sipas gazetës së njohur gjermane, ky raportim mbështetet në informacionet që ka.

“Sipas të dhënave të Bild-it, Italia është duke u përgatitur për tërheqje të mundshme të trupave të ShBA-së nga Kosova. Aleatët evropianë atëherë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit, Aleksandar Vuçiq, dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thuhet në këtë artikullin e sotëm të publikuar.

Tutje në këtë artikull thuhet se ka një shqetësim të madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat amerikano-ruse.

“Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përjashtuar një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa. Sipas të dhënave të Bild-it, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët perëndimorë kanë frikë se bisedimet që nisën në Riad do të mund të çonin në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës”.

Këto burime, “Bild” i mbështet duke cituar edhe një zyrtar të sigurisë në Evropën Lindore.

“Sipas të dhënave tona, kjo ka të bëjë me kërkesat e Putinit të vitit 2021, që janë tërheqja e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që janë bërë pjesë e aleancës pas vitit 1990.”