Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka deklaruar se ideja që Ngushtica e Hormuzit të bëhet territor i Shteteve të Bashkuara është një propozim “i shkëlqyer”.
Trump tha se ShBA-ja aktualisht ka “kontroll të plotë” mbi këtë rrugë strategjike detare përmes bllokadës, ndërsa paralajmëroi për mundësinë e veprimeve të Iranit.
Është një ide e shkëlqyer. Ne e kontrollojmë atë përmes bllokadës dhe më pëlqen ideja që ta shpallim territor”, deklaroi Trump.
Ngushtica e Hormuzit, e cila shtrihet mes Iranit dhe Omanit, është një prej korridoreve më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës transportohen sasi të mëdha të naftës dhe gazit.
Deklarata e Trumpit vjen në një periudhë të tensionuar mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa çdo pengesë e lundrimit në këtë ngushticë mund të ndikojë drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.
Ndërkohë, Trump tha se ShBA-ja nuk po kërkon zgjatjen e memorandumit të mirëkuptimit me Iranin, i cili tashmë ka skaduar.









