Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në fshatin Dobërçan të Gjilanit, ku një 75-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë në një bunar teksa ishte duke e pastruar.
Sipas zëdhënësit të Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, rreth orës 14:23 policia ka pranuar një njoftim për rastin dhe menjëherë njësitet patrulluese kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Nga hetimet e para dyshohet se një person ka rënë në një bunar përderisa ishte duke bërë pastrimin e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë bërë zbrazjen e bunarit dhe kanë nxjerrë trupin e viktimës,” tha Hashani.
Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës, të lindur në vitin 1951.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe ekipi i forenzikës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat në të cilat ndodhi kjo ngjarje tragjike.








