Kërcënohet me jetë hetuesi i Policisë në Lipjan – mesazhi i rëndë iu dërgua në Facebook

Një zyrtar policor në Lipjan (emër i njohur për Sinjalin) është bërë cak i një kërcënimi serioz përmes rrjetit social Facebook, rast për të cilin tashmë kanë nisur hetimet, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është hetues policor, i cili ka raportuar se rreth mesnatës së 29 qershorit ka pranuar një mesazh në gjuhën angleze në adresën e tij në Facebook.

Sipas kallëzimit, mesazhi përmbante fjalë fyese dhe kërcënuese, duke iu referuar ngjarjeve të luftës së vitit 1999 dhe duke përfunduar me një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj tij.

Zyrtari policor ka deklaruar se është ndier i shqetësuar nga përmbajtja e mesazhit dhe dyshon se kërcënimi lidhet me ushtrimin e detyrës së tij zyrtare.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për rastin janë njoftuar edhe njësitet kompetente hetimore, të cilat kanë nisur veprimet për identifikimin e autorit të mesazhit dhe zbardhjen e plotë të rastit.