Tahiri tregon se çka do t’i thotë nesër Haradinaj ambasadorit amerikan për taksën
Ambasadori amerikan, Philip Kosnett do të takojë nesër kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Gjatë ditës, është konfirmuar se në këtë takim do të flitet për taksën ndaj Serbisë.
Ndërkohë, Besnik Tahiri, sekretar i AAK-së, ka thënë se nesër kryeministri Haradinaj do t’ia tregojë arsyet ambasadorit amerikan për taksën që i është vendosur Serbisë.
“Pse është e rëndësishme që kjo masë ekonomike të jetë në fuqi. E rëndësishme është me qenë i hapur, me qenë i sinqertë, në asnjë moment mos me i lëndu marrëdhëniet me SHBA sepse SHBA dhe vendet tjera demokratike janë kumbarë të Pavarësisë së Kosovës. Kryeministri Haradinaj dhe asnjë lider i Kosovës nuk i rrezikon marrëdhëniet me Amerikën. Dashuria, respekti dhe adhurimi për Amerikën në këtë komb, është i kahmotshëm. Ky raport, nuk prishet me një taksë, në marrëdhënien historike që e ka populli i Kosovës. Ajo që mund ta them është që kryeministri Haradinaj do ta justifikojë shumë qartë, vendosjen dhe arsyen por edhe raportin e ri Kosovë – Serbi”, ka thënë Tahiri në interaktiv të KTV-së.